Nga Agim Nesho
Intervistimi i fundit i Ramës në Financial Times është në retorikën e tij një qëndrim skandaloz ndaj interesave të popullit Shqiptar.
Kryeministri thotë për Kosovën se është ‘një vatër e nxehtë’ duke konfirmuar ekzistencën e një konflikti të ngrirë që për shumë kohë serbët dhe rusët kërkojnë që t’i japin formë në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri shprehet që Kosova është ‘no man’s land (tokë e askujt)’, që është shprehja më e rrezikshme dhe më e papërgjegjshme nga një kryeministër shqiptar,i cili ka edhe detyrimin kushtetues të mbrojë çështjen kombëtare. Kosova është një vend i lirë, sovran dhe multietnik, i njohur nga shumica e shteteve në botë, dhe mbi të gjitha një shtet funksional. Funksionet e tij në një pjesë të vogël të territorit janë penguar nga regjimi nacionalist i Vuçiçit dhe provokimet e herë pas hershme.
Kryeministri flet që kjo zgjidhje e provokuar nga terrorizmi i sponsorizuar i shtetit serb të gjejë një zgjidhje, si në rastin e Francë-Gjermanisë apo Izrael-Arabi Saudite, duke mohuar që ky është një konflikt midis dy subjekteve të barabarta, Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe vijon të insistojë në zhvillimin e një konference ndërkombëtare. Për më tepër, ky nuk është një konflikt midis shqiptarëve dhe serbëve, ku Rama të ketë një rol dhe të jetëzojë projektin e tij të përbashkët me Vuçiç për ndarjen e ‘influencave’ në rajon.
Rama insiston dhe përkrah tezën e Vuçiç për ‘Republikën e KFOR’ për të hapur rrugën e ri-diskutimit të statusit dhe kufijve tashmë të përcaktuar të Kosovës dhe ti hapë rrugë ridiskutimit të çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit.
Rama, si në intervistë ashtu edhe në qëndrimin e tij pas sulmit të sponsorizuar të Serbisë kundër Kosovës, jo vetëm nuk arrin të distancohet nga politikat kriminale luftënxitëse të Vuçiçit, por lehtëson dhe kërkon të ndihmojë Vuçiçin në projektin e tij sllavo-rus për marrjen e veriut të Kosovës. Shqipëria nuk mund të bëhet platformë ku aventurierët politikë të zhbëjnë shtetin e Kosovës.