K. Amerikës, Brazili, Peruja dhe Kolumbia avancojnë në çerekfinale

E publikuar: 22/06/2015 09:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Brazili, Peruja dhe Kolumbia janë 3 skuadrat e fundit që siguruan një biletë për në fazën cerekfinale të Kupës së Amerikës. 2 ndeshjet e raundit të tretë të Grupit C ishin me të vërtetë të ekuilibruara me Selecaon që mundi 2-1 Venezuelën duke i eliminuar këta të fundit dhe njëkohësisht duke e mbyllur grupin në vendin e parë me 6 pikë të grumbulluara, ndërsa Peruja dhe Kolumbia barazuan 0-0 mes tyre, rezultat ky që u dha mundësinë të dyja kombëtareve për të avancuar më tej në kuotën e 4 pikëve secila.

Tashmë është përcaktuar edhe kuadri i plotë i cerekfinaleve të Kupës së Amerikës, Brazili do të duhet të masë forcat me Paraguain, Peruja për vetë faktin se u rendit në vendin e dytë të Grupit C duke lënë pas Kolumbinë do të ketë favorin që në cerekfinale kundërshtari i saj do të jetë Boliva, ndërsa për bukurinë e këtij kompeticioni dy ndeshjet e mëdha të këtij raundi do të jenë Argjentinë-Kolumbi dhe Kili-Uruguai. Pa Neymarin të pezulluar dhe që i ka dhënë fund Kupës së Amerikës, Brazili arriti të kalonte me rezultatin 2-1 Venezuelën. Pa u mbushur ende 9 minuta lojë, një krosim i Robinhos gjeti këmbën Thiago Silvës që realizoi dhe ia dedikoi golin pikërisht sulmuesit të Barcelonës që ishte i pranishëm në shkallët e stadiumit. Selecao dyfishoi shifrat në minutën e 52-të kur Willian asistoi në mënyrë perfekte Firminon që nuk e pati të vështirë për të shënuar. 6 minuta përpara fundit kishte vend edhe për një gol të Venezuelës që e realizoi Fedor por asgjë më shumë sepse Brazili arriti ta fitonte sfidën me rezultatin 2-1.

Në takimin tjetër të zhvilluar në Estadio Municipal German Becker të Temucos, Kolumbia edhe pse luajti më mirë nuk e mundi dot Perunë. Falcao dhe James Rodriguez ju afruan në disa raste golit por asnjëri prej tyre nuk arriti të thyente rezistencën e portierit të Perusë Gallese. Gjithsesi edhe barazimi i vlejti Kolumbisë pasi Los Cafeteros avancuan më tej por në ndryshimin e vetëm se nëse Peruja si e dyta e grupit në cerekfinale do të ketë përballë Bolivinë, Kolumbia si nga dy skuadrat më të mira të renditura në vendin e 3-të do të ketë një sfidë zjarri ndaj Argjentinës.