Pas u ndoq gjatë nga Interi në sezonin e kaluar, Jaja Ture ka përfunduar sërish në “radarin” e klubeve italiane. Sipas të përditshmes “Tuttosport”, Juventusi, me hapjen e merkatos verore, do mundohet të sigurojë shërbimet e mesfushorit nga Bregu i Fildishtë.
Me largimin e mundshëm të Pol Pogbasë, bardhezinjtë do kenë nevojë për një përforcim të rëndësishëm në qendër të mesfushës. Më mbërritjen e Guardiolës, Ture do largohet me të gjitha gjasat nga Mançester Siti, teksa futbollisti nuk ka pranuar që të rinovojë kontratën e tij me “qytetarët”.
Ngërçi i vetëm i tratativës mbetet rroga vjetore e lojtarit, i cili paguhet 7 milionë euro në sezon, ndërsa 5.5 milionë euro është rroga tavan në klubin bardhezi, pasi askush nuk paguhet më shumë dhe nëse bëhet një përjashtim për Turenë, në skuadër rrezikohet që të prishen ekuilibrat.
Mirëpo Juventusi nuk është kandidatja e vetme për të siguruar shërbimet e lojtarit, i cili ndiqet me shumë interes nga ekipet BIG të Europës, PSG dhe Bajern Mynih.
Kapitulli “Benatia”- Një tjetër emër me vëmendje nga “Zonja” në merkato është edhe mbrojtësi i Bajernit të Mynihut, Mehdi Benatia, mirëpo ky i fundit duket se nuk po gjen dot qetësi nga dëmtimet e shumta. Sapo emri i tij filloi t’i bashkëngjitet Juventusit, marokeni ka pësuar një tjetër dëmtim muskulor.
Lajmi është bërë i ditur nga stafi mjekësor i përfaqësueses marokene, që ka bërë të ditur se Benatia ka pësuar një lëndim të lehtë gjatë seancës së fundit stërvitore.
Ky është dëmtimi i tretë brenda sezonit. Por, rendimenti i lojtarit në vitin e fundit nuk i frikëson drejtuesit e klubit bardhezi. Këta të fundit flitet se i kanë prezantuar një ofertë zyrtare klubit të Bajernit duke i ofruar 2 milionë euro për huazimin e futbollistit dhe 22 milionë euro me të drejtën e blerjes në fund të sezonit.