Juventusit i mjaftojnë rezervat për të fituar Derbin e Italisë me Interin, që vendoset nga një gol i Moratës dhe një gafë e Handanovic, me zikaltërit që i largohen Europës pas kësaj disfate dhe pse ndoshta meritonin dicka më shumë për atë që dhanë në fushën e “San Siros”. Derbi i Italisë nuk mund të kishte nisje më të mirë sesa me gol me Icardin që përfitoi nga një aksion rokambolesk për të devijuar topin në rrjetë.
Inter me një objektiv për të realizuar u shfaq dukshëm më i uritur se Juventusi dhe vazhdoi të krijonte raste në portën e Storarit megjithëse Juventus kur u kundërpërgjigj në të 22-tën për pak sa nuk barazoi me Moratën. Dy minuta më pas ishte radha e Storarit për të ndërhyrë duke ndalur Rodrigo Palacion. Në të 39-tën, fati dhe gjyqtari ndalën Interin, me Shaqirin që goditi traversën. Topi u kthye në lojë dhe Brozovic e dërgoi në rrjetë por Doveri vërshelleu për një pozicion jashtë loje që do të diskutohet jo pak. Dy minuta më pas Vidic shkaktoi 11-metërsh duke i dhënë mundësinë Marchisios të barazonte.
1-1 u mbyll pjesa e parë ndërsa të dytën Juventus e nisi më mirë duke rrezikuar në pak sekonda dy herë me Moratën. Inter megjithatë ishte më këmbngulës dhe Ambrosio kërkoi golin e javës me një kthesë por nuk gjeti kuadratin. Në momentin më të mirë të Interit, Juventus shënoi sërish pas një gabimi të Handanovic.
Atë që nuk bëri Handanovic e bëri Storari, që në të 85-tën i ndaloi golin e barazimit Interit. U mbyll 2-1 për Juventusin, që me entuziasmin e kualifikimit në finalen e Champions arriti të fitojë dhe supersfidën me Interin./supersport.al/