Juventus nuk e ndalon kërkimin për numrin 10. Gotze është një çështje e kompplikuar për faktin e thjeshtë se Bayerni Muenchen kërkon 40 milionë Euro dhe në këtë rast, alternativa më pak e kushtueshme e heroit të finales se botërorit është një tjetër talent gjerman, Julian Draxler. Sulmuesi i Schalke 04 mbetet një objektiv real, por frika më e madhe në Vinovo lidhet me faktin se Draxler po vuan prej kohësh nga dëmtimet e shumta dhe kjo situatë mund të rëndojë në formën e tij. Gjithsesi, presidenti Agnelli e ka marrë parasysh rrezikun duke i ndezur dritë jeshile operacionit. Drejtori Sportiv, Fabio Paratici është nisur menjëherë drejt Gjermanisë për të gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit nga Genselkirchen dhe përfaqësuesit e lojtarit. 21-vjeçari gjerman vjen pas një sezoni plot dritëhije por për Juventusin mbetet një njohje e vjetër pasi bardhezinjtë e ndjekin që prej kohës kur ai ishte pjesë e Kombëtares Gjermane U-19. Fillimisht, stafi i Zonjës së Vjetër do të dëgjojë kërkesat e palëve dhe më pas do të marrë një vendim përfundimtar, për të qartësuar më shumë situatën edhe në kokën e trajnerit Allegri, i cili kërkon me çdo kusht një sulmues me të tilla karakteristika. Nëse palët bien parimisht dakort, atëherë bisedimet mund të mbyllen brenda ditëve të ardhshme dhe Juventusi do të ketë në dorë një nga lojtarët më premtues të Gjermanisë.