Te Barcelona vendosi i jashtëzakonshmi Messi, ndërsa te Juventus frymëzimi erdhi nga Tevez..
Barcelona dhe Juventus janë dy skuadrat e fundit cerekfinaliste të Uefa Champions League por me një të përbashkët spektaklin, që u prodhua në të dyja ndeshjet nga këmbët e një argjentinasi. Te Barcelona vendosi i jashtëzakonshmi Messi, ndërsa te Juventus frymëzimi erdhi nga Tevez, që me dy gola e një asist bëri të ndihet prania e rëndë e “Zonjës së Vjetër” në Europë. Sulmuesi i Juventusit me një supergol që në minutën e 3-të i tregoi verdhezinjve se nuk mund të ketë më një tjetër 97-të.
Në fakt Borusia e Dortmundit u ndal vetëm te dekori i tifozerisë, madhështia e të cilit nuk u pasyqrua dhe në fushë, pasi verdhezinjtë nuk patën forcë reagimi pas golit dhe pse detyra për ta nuk është se ndryshonte shumë, pasi i mjaftonte thjesht fitorja. Juventus jo vetëm që kontrolloi lojën në pjesën e parë por gjithashtu i lejoi veten dhe luksin për të gabuar përpara portës, sidomos në fillimin e pjesës së dytë, kur Morata tregoi se kishte “uri” për raste të humbura, përpara se Tevez t’i servirte topin e 2-0 me portën e boshatisur.
Mbrëmja e Tevezit megjithatë nuk do të ishte e plotë, nëse qershinë mbi tortën e kualifikimit nuk do ta vendoste ai, dhe ashtu bëri në të 79-tën.
Signal Iduna Park u ngrit i tëri në këmbë për të përshëndetur argjentinasin, që ishte “pasuria” e vërtetë e Juventusit në këtë sfidë. Barcelona gjithashtu haqpi dyert e cerekfinaleve me një tjetër fitore këtë herë ndaj Cityt, dhe pse minimale. Nën vështrimin e Guardiolës, katalanasit gjetën lojën e ditëve më të mira por dhe magjitë e Messit, që në pjesën e parë ishte i papërmbajtshëm në “Camp Nou” përballë një Man.City që dhe pse duhet të kërkonte përmbysjen kishte zgjedhur të luante me vetëm një sulmues. Shtyllat e Neymar dhe Suarezit në pjesën e parë nuk e ndalën vrullin e blaugranave, që epërsinë e morën me një parabël të ëmbël të Rakiticit.
Barcelona gaboi që nuk mbylli ndeshjen duke shpërdoruar shumë përpara portës, pasi në të 78-tën, Man.City pati mundësinë për të ndezur një shpresë për kualifikimin, por Aguero gaboi nga pika e bardhë.
Penalltia mund të kishte ndryshuar fatin e ndeshjes, por në fakt dhe shpresa do të ishte e tepërt për Cityn pas këtyre 180 minutave, ku në shumë pak raste tregoi se është kampionia e Anglisë.