I pandalshëm, vetëm kështu mund të përkufizohet Juventusi i Massimiliano Allegrit.
Bardhezinjtë koleksionuan fitoren e 10-të radhazi në kampionat, duke lënë pas Interin në klasifikim dhe duke e ngushtuar në vetëm 2 pikë diferencën me Napolin kryesues. Kampionët e Italisë vijuan ecurinë fantastike në këtë fazë të sezonit duke triumfuar lehtësisht me rezultatin 0-4 edhe në transfertën e Friulit përballë Udineses. Me një Paulo Dybala në formë të jashtëzakonshme, por edhe me një skuadër që funksionon si një makineri perfekte, Juventusi zgjidhi gjithçka që në 45 minutat e para duke ruajtuar më pas energjitë për ndeshjen e mesjavës në Kupën e Italisë ndaj Lazios. Ishte pikërisht ish lojtari i Palermos ai që hapi serinë e golave në minutën e 15-të. Dybala ekzekutoi mjeshtërisht një goditje standarte duke lënë të shtangur portierin e vendasve Karnezis. 3 minuta më pas Khedira dyfishoi shifrat. Ky ishte goli i dytë në 2 ndeshjet e fundit për mesfushorin gjerman, i cili me kalimin e javëve duket se po rigjen formën e tij më të mirë. Juventusi vulosi fitoren me finalizimin e Dybalës nga pika e bardhë dhe golin e parë me fanellën bardhezi të Alex Sandros pas një asisti të sulmuesit argjentinas. Asnjë minutë për francezin Paul Pogba, i cili u la pushim nga trajneri Allegri në këtë sfidë.
Tifozët e Romës prisnin diçka tjetër, por debutimi i dytë i Luciano Spallettit në stolin e skuadrës verdhekuqe nuk ishte më i miri i mundshëm. Kryeqytetasit barazuan 1-1 me Veronën e vendit të fundit në “Olimpico”, duke konfirmuar momentin negativ që po kalojnë. Goli i Nainggolan në pjesën e parë u arrit nga finalizimi i Pazzinit nga pika e bardhë e penalltisë në minutën 61-të. Të dyja skuadrat goditën edhe nga një herë shtyllën në këtë përballje. Pavarësisht përpjekjeve të Romës në minutat e fundit në kryeqytetin italian gjithçka u mbyll në barazim 1-1.
Në ndeshjet e tjera të javës së 20-të të Serisë A spikat barazimi me shifrat 2-2 ndërmjet Bolognas dhe Lazios. Në “Dall Ara”, Etrit Berisha u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes me portierin shqiptar që ishte i detyryar ta nxirrte topin nga rrjeta në dy raste brenda 18 minutave të para. Megjithatë Lazio reagoi në pjesën e dytë duke barazuar rezultatin me golat e Candrevës dhe Lulic. Një fitore shumë të rëndësishme arriti Genoa që në stadiumin “Luigi Ferraris” shpartalloi me shifrat 4-0 Palermon, ndërsa tre pike shprese mori edhe Carpi që mundi në shtëpi 2-1 Sampdorian. Përfundoi ndërkohë në barazim 1-1 dueli mes Chievos dhe Empolit./ss/