Është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila ka pranuar zyrtarisht detyrën e kreut të shtetit.
Ceremonia është zhvilluar në oborrin e Presidencës, ku kanë marrë pjesë familjarë të Presidentes Shiroka-Pula, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit, detyra e Presidentes i është dorëzuar zyrtarisht Shiroka-Pulës nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, duke shënuar edhe përfundimin e periudhës së ushtrimit të kësaj detyre nga ana e saj.
Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më 6 tetor, në një votim që përfundoi pas mesnatës. Ajo mori 81 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Eliza Hoxha, mori një votë. Dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme.
Pas zgjedhjes, Shiroka-Pula bëri betimin kushtetues dhe, në fjalimin e saj të parë si Presidente, deklaroi se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi të plotë. Ajo u zotua se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe forcimin e institucioneve.
Me marrjen zyrtare të detyrës, Justina Shiroka-Pula bëhet Presidentja e shtatë e Republikës së Kosovës dhe gruaja e tretë që ushtron këtë funksion, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit.
Zgjedhja e saj erdhi në fund të një periudhe të gjatë të ngërçit institucional, ndërsa votimi në Kuvend u zhvillua në orët e fundit të afatit kushtetues. Me zgjedhjen e Presidentes së re, Kosova shmangu edhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare./EO
































