Julia Hoxha: Intervistë me Gruaja në ICT në edicionin e 7-të të ICT Awards

E publikuar: 08/06/2019 00:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Si ndihmëse me inteligjencë artificiale për personelin mjekësor, Zana ndihmon në monitorimin dhe konsultimin e pacientëve, duke e thjeshtëzuar trajtimin e tyre nëpërmjet analizës së të dhënave të grumbulluara, si dhe ul kostot duke ofruar shërbim në distancë.

Ky shërbim realizohet nëpërmjet një ndërfaqeje me komunikim zanor që integrohet lehtësisht në pajisjet dixhitale.

Projekti është bashkë-themeluar nga Dr. Julia Hoxha. Ajo vjen nga qyteti i Tiranës dhe aktualisht jeton dhe vepron në Gjermani. Studimet bachelor në shkencat kompjuterike i kreu në Maj të vitit 2004 në Universitetin Amerikan të Bullgarisë për të vijuar me studimet master dhe të doktoraturës në Informatike (Inteligjence Artificiale) në Gjermani, dhe me pas pune si kërkuese shkencore ne fushën e Informatikës Mjekësore ne Universitetin e Kolumbias ne New York.

PCWA: Julia, a mund të na flisni për studimet dhe si nisi karriera juaj?

Julia Hoxha: Rrugëtimi im në fushën e informatikës nisi me studimet e larta bachelor për Shkenca Kompjuterike dhe Matematike në Universitetin Amerikan në Bullgari (AUBG). Jam e lumtur qe isha pjese e këtij institucioni, i cili si moto kishte te edukonte dhe promovonte liderët e ardhshëm te rajonit.

Ne vitin e tretë të studimeve nisa të angazhohesha në Shqipëri me projekte zhvillimi softuer së bashku me një ekip te vogël programuesish, miq të mi të ngushtë. Prej aty lindi kompania e parë që kam bashkethemeluar, ShqiperiaCom shpk. Në atë kohe, kur Web konsistonte kryesisht në faqe statike HTML, ne ishim kompania e parë që ofronim zgjidhje dinamike për menaxhimin e përmbajtjes (CMS). Kjo pati një tërheqje të madhe për zgjidhje që kërkoheshin nga institucione shtetërore apo kompani të ndryshme private. Ndaj pas diplomimit u ktheva në Shqipëri per t’u angazhuar plotësisht me ketë aktivitet dhe drejtuar ekipin tone te zhvilluesve. Gjate asaj kohe kam qene e asociuar si pedagoge ne Departamentin e Informatikës, ne Universitetin e Tiranes.

Më pas karriera ime vazhdoi me studime dhe punësim në dy universitete prestigjioze në Gjermani: master për Sisteme Informacioni dhe Databaza në Universitetin Teknologjik të Aachen, dhe doktoraturë në fushën e Inteligjencës Artificiales e Machine Learning në Institutin Teknologjik të Karlsruhe, Gjermani. Gjate këtyre viteve, karriera ime ka qenë e përqendruar në kërkime shkencore dhe si lektore në universitet.

Një vend te rendësish për mua ka pasur rikthimi i vazhdueshëm në komunitetin shqiptar për të dhëne kontributin tim në themelimin e aktiviteteve të tjera si Instituti Shqiptar i Shkencave, promotor i Open Data Albania. Ky ishte një projekt që ne e kemi nisur në 2010 kur iniciativa për hapjen e të dhënave sapo nisi të zgjojë interes. Jam e lumtur të shoh Open Data Albania tani të konsoliduar dhe shndërruar në një instrument te rëndësishëm transparence në Shqipëri.

PCWA: Nga se lindi ky pasion dhe përkushtim ndaj teknologjisë? Çfarë vendi ka teknologjia në jetën tuaj?

Julia Hoxha: Tërheqja ndaj teknologjisë lindi dhe u rrit gradualisht, fillimisht gjate studimeve e më pas në projekte të zbatuara në jetën reale. Aspekti që e ka përforcuar përkushtimin tim është mundësia që ne kemi si inxhiniere softuer për të përdorur kreativitetin, fantazinë dhe aftësitë tona për të ndërtuar zgjidhje të prekshme, të dobishme për njerëzit. Dy gjera me kane udhëhequr ne punën time: të bej atë që dua dhe të bëj atë që ndihmon njerëzit e u lehtëson jetën. Mendoj që teknologjia është një nga instrumentet që më së miri e fuqizon ketë.

PCWA: Pse zgjodhët të bëheni pjesë e ICT Awards 7?

Julia Hoxha: Motivimi kryesor ishte promovimi i projektit tone Zana ne komunitetin shqiptar. Ky promovim është se pari një shenje mirënjohje për punën e jashtëzakonshme te ekipit qe po ndërton asistenten Zana. Se dyti, siç do e përmend dhe me poshtë, Zana tashme është zgjidhje qe i prezantohet dhe tregut te Shqipërisë e Kosovës, ndaj do donim të rrisim përkatësisht vëmendjen në këtë komunitet.

PCWA: Pse zgjodhët të themelonit një startup si Zana?

Julia Hoxha: Ideja për Zana lindi ne 2014 fillimisht si një nevoje që shihnim se bashku me Armand Brahaj, bashkëthemelues i startup-it, për të përmirësuar kërkimin e informacioneve shëndetësore ne Internet. Kishim qe atëherë si vizion një asistente inteligjente me te cilën mund te komunikosh për t’i drejtuar pyetje rreth shëndetit, dhe qe është e afte te mësoje vazhdimisht rreth shëndetit tënd. Zgjidhjet e disponueshme, kryesisht në atë kohë bazohen në makina të ngurta kërkimi që një klikim më pas harrojnë se çfarë informacioni ke marre, apo si quhet ndryshe dhe “fire and forget”. Me Zana ne kishim si vizion, dhe akoma kemi, një shoqëruese me të cilën komunikon vazhdimisht me tekst apo zë, për të qenë i vetëdijshëm rreth shëndetit tënd. Me pas ideja u zhvillua akoma më tej për një zgjidhje që ofron monitorim e lidhje të vazhdueshme me mjekët.

PCWA: Çfarë mund të na thoni për përpjekjet dhe punën pas ndihmëses virtuale Zana?

Julia Hoxha: Pas Zana qëndron një ekip ekspertesh nga fusha te ndryshme, si inxhinierë softuer, zhvillues biznesi, dhe mjekë. Teknologjia që perdorim bazohet në shumë vite pune R&D që kemi bërë ne si bashkëthemelues, Armandi dhe unë. Më pas një kontribut i madh qëndron tek ekipi aktual që punon me shumë pasion për të ndërtuar një sistem sfidues siç është Zana.

Viti i kaluar ka qenë i sukseshëm, i shoqëruar me marrjen e financimit prestigjioz EXIST Startup Grant nga qeveria Gjermane, në mbështetje të kërkuesve shkencorë që duan të transferojnë punën e tyre në një produkt biznesi në treg. Më pas u nderuam me Innolabs Innovation Award të mbështetur nga Bashkimi Europian për projekte inovative në shëndetësi, dhe një sërë mirënjohjesh të tjera.

Gjithesesi, fokusi kryesor është progresi me produktin dhe teknologjinë sa më robuste, për ta vënë Zana në duar të pacientëve dhe doktorëve.

Aktualisht Zana është e lidhur me një ore inteligjente shëndeti, Zana Healthwatch, të cilën e kemi në disponim dhe për tregun shqiptar. Madje dhe aplikimi i Zana në telefon për të aksesuar orën do te jetë në gjuhen Shqip në ditët në vazhdim. Të interesuarit, mjafton të shkojnë tek faqja jonë zana.com për të parë se çfarë mundëson kjo orë dhe si mund të porositet shumë lehtësisht.

PCWA: Si funksionon Zana dhe si ndihmon në monitorimin dhe konsultimin e pacientëve?

Julia Hoxha: Me fjalë shumë të thjeshta, një person i cili vuan nga një sëmundje kronike ose ka dalë nga spitali pas një operacioni mund të instaloje Zana në celular për të pasur një monitorim të vazhdueshëm të parametrave të shëndetit, të cilat i dërgohen vazhdimisht mjekut. Për të mbledhur këto parametra, pacienti pajiset me një orë inteligjente si dhe, në rastin e pacientëve kardiakë, me një monitor të vogël EKG (elektrokardiogram) që mund ta përdorë në shtëpi në çdo kohë.

Nëpërmjet aplikimit ne telefon, Zana e pyet herë pas here pacientin për të vlerësuar shëndetin, duke i drejtuar pyetje që mjeku do donte të dinte rreth gjendjes shëndetësore (psh a ke pasur dhimbje këto ditë, a ke probleme me plagën, etj.) Ne te njëjtën kohe, përmes orës inteligjente mblidhen të dhëna si frekuenca e zemrës, tensioni i gjakut, aktiviteti fizik, orët e gjumit, etj. Zana e kujton pacientin rregullisht te mase edhe EKG (mbështeten dy gishta tek pajisja), ku sinjali i regjistruar shfaqet direkt tek aplikacioni i Zana.

 

Te dhënat transmetohen në kohë reale tek një platforme për mjeket, e nëse dallohen problematika në këto parametra atëherë mjeku merr njoftime të menjëhershme e vihet në kontakt me pacientin.

Kjo zgjidhje ndihmon që pacienti mos te ndjehet i vetëm dhe i izoluar kur është ne shtëpi gjate shërimit, e te ketë vëmendjen e duhur mjekësore për mos të lëne gjendjen të përkeqësohet pa marrë masat e duhura në kohë. Kjo zgjidhje ndihmon mjeket/klinikat te ofrojnë shërbim më të mirë shëndetësor, duke mundësuar që mos të marrin vendime vetëm nga 20 minuta vizitë, por mund te shohin trendët/problematikat çfarë ka ndodhur me pacientin edhe në 3-6 muajt që kanë kaluar ndërmjet vizitave (kjo është një kohe gjatë të cilës mjeket aktualisht nuk kane asnjë te dhëne se si është gjendja e pacienteve).  Zgjidhja ndihmon dhe ne uljen e kostove nëpërmjet zvogëlimit te numrit te vizitave apo shkurtimit te qëndrimit ne spital.

PCWA: Si është pritur Zana nga pacientët?

Julia Hoxha: Aktualisht Zana ka qenë kryesisht në duart e përdoruesve për kërkim informacioni rreth shëndetit dhe monitorim mes orës Zana Healthwatch. Ne muajt ne vazhdim do te jetë në duart e pacienteve me sëmundje kardiovaskulare, kryesisht atyre post-operative, duke qenë se do fillojmë projekt pilot me dy qendra zemre që kanë shfaqur interes për ta testuar zgjidhjen tonë.

PCWA: Disa statistika dhe informacione rreth përdorimit të Zana?

Julia Hoxha: Kemi rreth 6400 vizitorë unik në muaj, e qëllimi ynë është të arrijmë 17 mije pacientë vjetor në fund të 2020.

PCWA: Si e vlerësoni angazhimin dhe hapësirën që femrat kanë në teknologji?

Julia Hoxha: Përgjithësisht nuk preferoj të bëj dallime gjinore në anën profesionale. Mendoj që femrat në teknologji, ashtu si dhe ne çdo gjë tjetër që bëjnë, janë shumë të dedikuara, punojnë me pasion, janë të kujdesshme dhe intuitive. Shumica e ekipit te Zana përbehet nga femrat.

Në kuadrin e startup-eve, kryesisht ato të themeluara apo drejtuara nga femrat, vërehet dukshëm një mangësi. Janë të rralla rastet kur nuk jam femra e vetme ose një nder dy femrat e vetme neper evenimente ku shkoj. Madje po te përmendesh që jo vetëm drejton kompaninë, por merresh dhe me kodim/programim pritet më shume surprizë e çudi. Mendoj që nga kjo perspektive ka hapësire e nevojë me shume për mbështetje te femrave e mamave sipërmarrëse. Kjo mbështetje duhet të jetë shume-dimensionale.

PCWA: Çfarë mund të bëhet më shumë për të rritur prezencën e tyre në këtë industri?

Julia Hoxha: Siç e përmenda, mbështetja mund të promovohet nga shumë drejtime. Në kompani, strukturat vendim-marrëse dhe ato të punësimet të kenë si fillim vete barazi gjinore, e te bëjnë politika te qëndrueshme për të inkurajuar pozicione drejtuese për femrat. Nga ana shoqërore, femrat vete te jene mbështetëse për tu dhëne dorën femrave të tjera, një kulture që dominon shume në “bro culture” apo kulturën vëllazërore.

Në familje, partneri të jetë suportues i sipërmarrjes së gruas, te jete “tifozi” i punës e vizionit te saj. Për mua personalisht kjo ka qene një nder faktorët kyç për të ecur përpara në realizimin e qëllimeve që i kam vënë vetes vazhdimisht.

PCWA: Çfarë do të thotë për ju çmimi Gruaja në ICT?

Julia Hoxha: Çmimi për mua është një nderim dhe mirënjohje për kontributin qe jam përpjekur të jap në komunitetin shqiptar. Edhe pse për një kohe të gjate jashtë kufijve, lidhja me vendin ka qene e vazhdueshme nëpërmjet punës në fusha të ndryshme si në akademi mes bashkëpunimeve me universitetet, industri si me MyOffice’Al coworking i parë në Shqipëri, apo projekte si Open Data Albania për te rritur transparencën mes të dhënave.

Përtej potencialit me projektin Zana dhe risinë e saj teknologjike, për mua ky çmim ishte një vlerësim që shtrihej gjithashtu në iniciativat e kaluara. /PCWorld Albanian