Ende pa u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, analistë e vëzhgues të shumtë shtrojnë gjithnjë e më shumë çështjen e pozicionimit të administratës së re amerikane, të presidentit Donald Trump, lidhur me vatrat aktuale të krizës në botë, pa e përjashtuar këtu edhe rajonin e Ballkanit.
Analisti britanik, Tim Judah, thotë për Radion Evropa e Lirë se është herët të flitet për këtë për shkak se kjo do të varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara.
Rikthimi eventual i Richard Grenellit, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, do të ishte me ndikim të rëndësishëm dhe për këtë, Qeveria në Prishtinë mund të ketë arsye për t’u shqetësuar, thotë ai.
Judah shprehet skeptik për mundësinë që administrata e re Trump të arrijë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
“Trump u përpoq edhe më parë. Kishte një nënshkrim të famshëm në Uashington për dy marrëveshje të veçanta, por asgjë e madhe nuk doli prej tyre”, shprehet Judah në intervistën për REL.
Radio Evropa e Lirë: Cilat mendoni se do të jenë prioritetet e mundshme të administratës së re të presidentit Trump për Ballkanin Perëndimor?
Tim Judah: Nuk mendoj se z. Trump ka menduar ndonjëherë për Ballkanin. Ka disa njerëz rreth tij, si Richard Grenell, të cilët sigurisht se kanë menduar për Ballkanin.
Ajo që do të ndodhë, varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara. Për shembull, a do të kthehet Richard Grennell, i cili luajti një rol të rëndësishëm më parë? A do të jetë sërish me ndikim? Në atë rast, mendoj se ndoshta ka arsye për t’u shqetësuar, veçanërisht për Qeverinë në Prishtinë.
Nëse e pyesni Trumpin sot, cilat janë prioritetet tuaja në Ballkan, mendoj se ai ndoshta nuk do të kishte ide, ndoshta do të kishte vështirësi edhe për ta gjetur Ballkanin në hartë, pra, nuk mendoj se Ballkani është në listën e çështjeve të tij kryesore. Megjithatë, ai duhet të emërojë persona që do të hartojnë politika dhe të merren me pjesën tjetër të botës. Le të shohim se kë do ta caktojë.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se administrata e re e Trumpit do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Tim Judah: Mendoj se nuk ka gjasa, sepse në fund të ditës, duhet të ketë vullnet politik në Kosovë dhe në Serbi, apo në qeveritë e tjera paraprake të Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, nuk mendoj se ka ndonjë vullnet politik për ta bërë këtë, pra nuk ka shumë rëndësi. Dua të them, po, sigurisht, është e rëndësishme nëse amerikanët dhe evropianët janë të bashkuar dhe mbështesin një formë zgjidhjeje. Fakt është se ata kanë qenë të bashkuar edhe në vitet e fundit, por problemi ka qenë te mungesa e vullnetit politik në Beograd dhe në Prishtinë. E dini, z. Trump u përpoq më parë. Kishte një nënshkrim të famshëm në Uashington për dy marrëveshje të ndara, por asgjë e madhe nuk doli prej tyre. Kështu që nuk jam i sigurt nëse do të ketë ndryshime në administratën e dytë të Trumpit.