Nëse ndiheni të dobët kur hipni në bordin e një anijeje, e dini se nuk keni se ç’të bëni. Por kjo mund të ndryshojë brenda një dekade, falë një pajisjeje që shkencëtarët thonë mund të shmangë fenomenin “të zë deti”.
Një goditje e butë elektrike në skalpin e kokës iu largon ndjesinë e të vjellave, sipas ekspertëve të “Imperial College London”. Ata janë duke krijuar një pajisje që do të lidhet me një telefon dhe do të çojë një goditje të butë elektrike në kokë, falë një pakete elektrodash. Ata shpresojnë që kjo pajisje të shitet në farmaci brenda pesë apo dhjetë vitesh.
Shkencëtarët thonë se fenomeni “të zë deti” shkaktohet nga mesazhet konfuze, që marrim nëpërmjet veshëve dhe syve kur jemi në lëvizje. Tre në 10 persona i përjetojnë këto simptoma, të vjella dhe ethe kur janë në det.
Sipas shkencëtarëve të Imperial, një goditje e butë elektrike në kokë do të ndërpresë aktivitetin e asaj pjese të trurit që është përgjegjëse për përpunimin e sinjaleve të lëvizjes. Nëpërmjet saj do të reduktohet ndikimi i inputeve që merr truri, duke parandaluar problemin.
Ndërkohë që sipas shkencëtarëve, kjo pajisje do të ndihmojë shumë edhe ushtrinë gjatë operacioneve ushtarake.
/Shekulli Online/