Nga Vedat Xhymshiti
Ju po shqetësoheni për Alepon, por ju jeni duke jetuar të udhëhequr nga Presidenti Hashim Thaçi.
» njeriu i cili gjatë kohës sa ai ishte Kryeministër, në qershor të vitit 2012, u vodhën 25/kg ari në dhomën e dëshmive të Policisë në Pejë dhe fajtorët nuk u gjetën kurrë;
» Ju po jetoni me njeriun i cili partizoi dhe rrënoi skajshëm kualitetin e edukimit dhe arsimimit universitar; Me universitetin publik të zhytur thellë në plagjiaturë akademike dhe me mbi 30 universitete private që kishin prodhuar gjenerata të tëra prej diplomave, ku shumica e profesorëve, ishin bashkëpartiak të Hashim Thaçit;
» Me njeriun i cili shkaktoi që të gjitha raportet e progresit të BE-së të vinin me nota negative, veçanërisht duke u përqëndruar në thirrjet e vazhdueshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; Të gjitha raportet ndërkombëtare e kishin renditur Kosovën si vend gjysmë-autoritar dhe me korrupsion jashtëzakonisht të lartë;
» Me njeriun i cili përveq që ishte akuzuar nga Këshilli Evropian për dyshimet e përfshirjes së tij në tregtinë e organeve, gjatë kohës sa ai ishte kryeministër, shëndetësia publike jo që ishte shkatërruar, por në klinikat private u gjetën dëshmi të cilat pohuan se tradita e dyshimeve për tregti me organe nuk kishte përfunduar në vitet e hershme, ajo kishte vazhduar me klinikën ‘Medicus’ në Prishtinë;
» Me njeriun i cili nga një skandal në tjetrin Kosovën e bëri top-temë të mediave botërore pas akuzave të Këshillit të Evropës, sipas të cilave Thaçi kishte udhëhequr një grup kriminal, të cilët kishin trafikuar organet e serbëve në atë që njihet si ‘Shtëpia e Verdhë’;
» Me njeriun i cili gjatë detyrës së tij si shef i kabinetit qeveritar, Këshilli Qëndror Zgjedhor ishte detyruar të tërhiqej nga kërkesa e tyre për të instaluar kamerat e vëzhgimit në vendvotime, diçka që pasoi me manipulim masiv të procesit zgjedhor;
» Me njeriun që Kosova, i pagoi € 6 milion euro një kompanie izraelite për ta promovuar vendin e ri, me një material publicitar që doli të ishte plagjiat;
» Me njeriun që gjatë karrierës së tij kryeministrore shkatërroi ekonominë e vendit, duke e aplikuar privatizimin neoliberal siç ishte bërë në vendet Afrikane dhe ato të Amerikës Latine, duke rezultuar që fabrikat dhe ndërmarjet të shiteshin por investimet të mos vinin kurrë. Distribucioni i KEK-ut ishte shitur për vetëm € 26 million euro;
» Me njeriun që kishte nënshkruar një marrëveshje pa çmim për autostradën e kombit, që rezultoi të ishte autostrada më e shtrenjtë në Evropë, duke i siguruar ambasadorit amerikan Christopher Dell një emërim si drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i ‘Bechtel & Enka’ për kontinentin Afrikan.
» Me njeriun që e kishte dhënë me concession Aeroportin e Prishtinës për 20 vjet, për vetëm € 100 milion euro, deri tek fakti ku Dino Asanaj, i cili kishte udhëhequr procesin e privatizimit, ishte raportuar të ishte vetëvrarë, pasi ai siç thuhej e kishte goditur trupin e tij 12 herë me thikë.
Të zezat nuk kanë fund këtu, ato vazhdojnë [tash e 17 vjet] – me fillimin e valës së parë të imigrimit që solli tragjedinë në Lumin Tisa – ku mbi 18 familjarë nga Kosova ishin fundosur dhe mbytur në Lumin Hungarez gjatë një përpjekje të pashpresë për t’u larguar nga Kosova e cila tanimë i shërben vetëm klanit të Presidentit Thaçi.
» Ju po shqetësoheni për Alepon, por ju jeni të zënë ngusht rëndë-më-rëndë se Alepo – kur e shohim nga këndvështrimi veprues.
Ju, shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë, ashkalinjë, romë etj, etj; ju jeni njerëz të shtypur nga thundrra e një presidenti i cili detryoi ikjen masive të mbi 5% e qytetarëve të vendit vetëm gjatë dhjetorit 2014 dhe shkurtit 2015.
» Ju o njerëz të mirë, po e duroni Presidentin Hashim Thaçi – si pasojë e të cilit Kosova mbeti pa pjesën e saj të bregut verior të Mitrovicës dhe pa ushtri. Presidentin i cili bëri që tash e 17 vjet mbi 50% të qytetarëve të jetojnë të papunë dhe thuajse gjysma e tyre të jetojnë në varfëri me mbi 30% prej tyre nën vijën e lejueshme të varfërisë siç precizojnë raportet e Bankës Botërore.
» Ju o njerëz të mirë që i jeni përgjigjur thirrjeve të lëvizjes së bërë parti “Lëvizja VETËVENDOSJE!“; shoqërisë civile bashkë me ambasadën amerikane sahere që ju kanë thënë të shkoni në shtëpi kur keni qenë duke demonstruar pushtetin e padrejtë të Presidentit Hashim Thaçi të cilit vetëm brenda vitit 2011 i ishin refuzuar mbi 25 kërkesa për t’u takuar me krerët e vendeve të ndryshme Perëndimore.
» Ju o njerëz të pashpresë jeni duke u ankuar për Alepon tash e katër vjet, por ju tash e 17 vjet jeni duke jetuar me politikanë marioneta të miqve tanë amerikanë, ku për pasojë Kosova bisedoi me Serbinë pa kushte, pa dënimin e krimeve të luftës, pa kthyer të pagjeturit, pa marrë dëmshpërblimet e luftës, pa marrë fondin pensional dhe artefaktet arkeologjike.
» Ju o njerëz që keni lejuar në pushtet Hashim Thaçin i cili kur u bë ministër i jashtëm, Kosova mbeti e izoluar pa liberalizim të vizave, deri tek dështimi i anëtarësimit të saj në UNESKO, deri tek humbja e mbi 8000 hektarëve tokë të bujqve shqiptarë, pasi ai nënshkroi një marrëveshje të demarkacionit kufitar me Malin e Zi, për të cilën veprimtari politike ai mbështetet nga SHBA dhe disa vende evropiane.
» Ju o njerëz që keni lejuar ngritjen në pushtet të njeriut në shtëpinë e të cilit dokumentueshëm dyshohet se kishte nisur tradita e vrasjes së gazetarëve shqiptarë — ku siç thuhet në disa reporte ndërkombëtare gazetari Ali Uka ishte gjetur i vdekur në banesën e tij në Tiranë.
» Për Alepon me të drejtë po ankoheni ju o njerëz, të cilët po e lejoni të vazhdoj pushtetin e tij Presidentin Hashim Thaçi, nën udhëheqjen e të cilit nisi edhe tradita e vrasjes së aktivistëve politikë jo vetëm në kohën e pasluftës në Kosovë, por edhe pas shpalljes së Pavarësisë së vendit – aktivisti politik Astrit Dehari u gjet i vdekur në rethana të dyshuara.
Pa më shkruani ju lutem, a keni vërtetë besim në vete se keni të drejtë morale të flisni për Alepon e gjetiu kur këmbët tuaja i keni në zjarr?