“Ju lutem, se veç ju jeni më të mirët”- Abdixhiku thotë se VV-ja iu lut LDK-së që të bëhen bashkë

E publikuar: 30/11/2025 17:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se gjashtë vitet e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, kanë sjellë rezultate katastrofike për Kosovën.

Këtë ai e ka deklaruar në një tubim në Prizren, ku ka përmendur rritjen e çmimeve dhe fryrjen e faturave të energjisë elektrike, shkruan Insajderi.

“Kët i kanë 6 vite në krye të qeverisë dhe rezultatet janë katastrofale: Çmimet po rriten, rryma, fatura tash ju vjen edhe më e shtrenjtë e atje Vuk Hamoviqi po përfiton miliona pare të Kosovës prej importit të energjisë elektrike, të cilën këta provojnë me e fshehë. Edhe dje edhe sot ka 300-400 mijë euro në ditë t’i fitojnë. Pra, ky është patriotizmi fals i tyre”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku tutje është tallur edhe me ofertat e kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit, për koalicion.

“Neve krejve këtu na thonë: Po doni me e kthy Serbinë në Kosovë. Kush po don me e kthy Serbinë në Kosovë? Pra, për vitin 2025 dhe 2026 kjo është gjuha e vetme që iu ka mbetur. Dhe si të përfundon kjo gjuhë e tyre në mbrëmje, ditën ta shtrojnë ofertën thojnë hajde LDK-ja me u bë me neve bashkë, ju lutem se veç ju jeni më të mirët”, ka deklaruar më tej ai.