Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu është përgjigjur gjyqtarëve nëpërmjet një mesazh publik përmes llogarisë së tij në “Facebook”, ku u ka thënë se jeta e tyre ka ndryshuar për të mirë falë qeverisjes së socialistëve.
Rama në adresimin e tij ka nënvizuar atë se gjyqtarët kanë pagat sa kolegët e tyre në Greqi, por shton se ata po duan të rrisin me 2 mijë e 3 mijë euro. Por këtu shton se kjo rritje nuk ka bazë ligjore apo kushtetuese.
“Jam këtu në një komunikim të drejtpërdrejtë sepse jam i surprizuar nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me shqetësimin e ngritur nga unë publikisht, për një përpjekje, në këndvështrimin tim, është e pajustifikueshme, është e papranueshme për t’iu imponuar parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtar me gjyq. Këtë shqetësim publik e kam shprehur si palë, në emër të një pale. Një pale për të mbrojtur interesin e vetë, publik me gjykatë. Është hera e dytë që ndodh që ka një habi shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur unë flas në emër të asaj që përfaqësoj, në emër të shqiptarëve në mbrojtje të një interesi për të cilin jemi në gjyq. Befas Shoqata e Gjyqtarëve shfaqet si një parti politike me një gjuhë të pajustifikueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor. Jo një arbitër që thotë: ‘Bilbili është i imi, topi është i imi, penalltinë do e gjuaj vetë dhe porta të rrijë pa portier. Sot që flasim aktualisht, ju i keni pagat sa në Greqi dhe ju doni t’i rrisni me 2000-3000 euro në muaj, në emër të çfarë. Ju thoni në emër të ligjit dhe Kushtetutës? Është e pavërtetë”, tha ndër të tjera Rama.
Reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve kryeministri shqiptar e quajti të papranueshëm dhe të paprecedentë në historinë e Evropës.
“S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni. Ju zotërinj kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit. Kjo është e vërteta dhe se luan topi. Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, rroga nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5000 euro. Është hera e dytë që ndodh, që ka një habi, shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur po flas për çka përfaqësoj në emër të shqiptarëve, për një interes që jemi në gjyq. Jemi palë dhe shoqata e gjyqtarëve shfaqet si parti politike me një gjuhë të papranueshme dhe pajustifikueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor”, theksoi ai.
Ai potencoi se SPAK nuk i është bashkuar kësaj kërkese, duke e veçuar nga pjesa tjetër e sistemit. “Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro”, shtoi ai.

















