Nga sa mund të kuptohet lehtësisht, gazetarja e kulturës nuk kishte asnjë informacion mbi shfaqjen, por as për tenorin e njohur, Kastriot Tusha.
– Përshëndetje! Duam të dimë përshtypjen tuaj për këtë soprano dhe çfarë ju ka nxitur për të marrë pjesë në këtë shfaqje? – ishte pyetja e gazetares.
– Soprano? E keni fjalën për premierën? Shpresojmë që shfaqja të dalë me sukses, – është shprehur Kastriot Tusha.
– Ju jeni artist? – ka shtuar gazetarja.
– Unë jam Kastriot Tusha, pedagog në Akademinë e Arteve, tenor, dhe me një karrierë artistike të gjatë edhe këtu në TOB, – iu përgjigj tenori i habitur për pyetjen e gazetares.
Pas kësaj videoje, i gjithë rrjeti reagoi me të njëjtat konsiderata – e turpshme, skandaloze, e patolerueshme. Po vetë tenori, si e kujton atë moment të sikletshëm një vit pas kësaj ndodhie?
I ftuar pasditen e sotme në “Pasdite në Top Channel”, në kuadër të 35-vjetorit të karrierës së tij artistike, Tusha kujtoi edhe atë moment delikat që u bë viral në vetëm pak orë pas publikimit: “Jo të gjithë duhet të më njohin mua, por kur mbulon një fushë të caktuar duhet të jesh e përgatitur. Të tjera përgjigje kisha në tru e të tjera gjëra thashë. Pati reagime të shumta nga ajo video dhe nuk ishte mirë për vajzën”,- deklaroi Tusha.

















