Jospeh: Marrëveshja Kosovë-Serbi të regjistrohet në OKB, Vuçiq ka qenë krejtësisht negativ sa i përket marrëveshjes

E publikuar: 15/04/2023 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
James Rubin

Profesori nga Johns Hopkins University, Edward Joseph, vlerëson se të Kosova dhe Serbia kanë bërë një hap të rëndësishëm por që ka ende shumë sfida përpara.Ai sugjeron që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta inkurajojnë Bashkimin Evropian që marrëveshjen e fundit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë ta regjistrojnë në Kombet e Bashkuara.

“Është një proces me të vërtet i vështirë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë krejtësisht negativ sa i përket marrëveshjes së fundit të arritur në Ohër, duke thënë se ka disa pika të marrëveshjes që nuk do t’i respektojë edhe pse në dokument shkruan qartë se të gjitha marrëveshjet duhet të respektohen pa përjashtim. Mënyra e vetme që ky dialog të ketë sukses për të dyja vendet është nëse ato pranojnë sinjale te forta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian se janë më të vërtet serioz si ndërmjetësues në këtë proces. Unë sugjeroj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta inkurajojnë Bashkimin Evropian ta regjistroj këtë marrëveshje në Kombet e Bashkuara, kjo do të nënkuptonte një status më të fortë juridik”, thotë ai.Tutje, eksperti për politike të jashtme e sheh një situatë të ndjeshme në veri të Kosovës.

Sipas tij pa u qetësuar krejtësisht situata në terren është e vështirë të flitet për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.“Momentalisht nuk është një atmosferë e mirë në veriun e Kosovës, kemi parë disa incidente serioze dhe serbët janë larguar nga institucionet. Pra në këto rrethana është e vështirë për të folur rreth krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Është një çështje shume problematike sepse nënkupton një formë autonomie apo quajeni një formë e vetë-menaxhimit për komunitetin serb. Normalisht që kjo duhet të vinte në fund të negociatave ku Kosova do ta fitonte njohjen nga Serbia dhe si këmbim do ta pranonte Asociacionin, por siç po e shohim realiteti është më ndryshe. Asociacioni është një obligim që e ka pranuar Kosova dhe duhet të jetë në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës”, deklaroi Joseph në Tëvë1.

Joseph, thotë se Kosova ndodhet në një pozitë të vështirë dhe se këtë po e shfrytëzon presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.“Kosova ndodhet në një pozitë shumë të vështirë sepse nuk pranohet nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, prandaj këtë situatë po e shfrytëzon maksimalisht Presidenti serb, Vuçiq”, shtoi ai.

Me ndërmjetësimin e bllokut evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.