Eksperti për Ballkanin, Edward P. Joseph, në një intervistë për Ekonomia Online, ka vlerësuar se përgjegjësia për bllokadën institucionale në Kosovë u takon liderëve politikë, duke përfshirë si pozitën ashtu edhe opozitën.
Joseph tha se bllokimi fillestar nisi nga kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas tij, kishte një mundësi të mirë për të ecur përpara, pas fitores së madhe në zgjedhjet e dhjetorit.
“Pa diskutim, liderët politikë të Kosovës janë përgjegjës. Dhe kjo përfshin disa prej tyre, jo vetëm një. Bllokimi fillestar ishte nga kryeministri Kurti. Ai pati një mundësi me fitoren e madhe, një fitore çuditërisht të madhe në dhjetor, për të ecur përpara. Për mendimin tim, si amerikan dhe si mbështetës i Kosovës dhe i hyrjes së saj në NATO” , deklaroi ai, për Ekonomia Online.
Ndërsa sa i përket ish- presidentes Vjosa Osmani, ai tha se kjo e fundit kishte ndërtuar një marrëdhënie të mirë me Washingtonin në një periudhë sfiduese për Kosovën, kur dialogu strategjik ishte pezulluar.
“Presidentja Vjosa Osmani kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me Washingtonin kur gjërat ishin shumë të vështira dhe kur dialogu strategjik ishte pezulluar” , u shpreh Joseph.
Sipas Joseph, përgjegjësia për situatën aktuale nuk bie vetëm mbi Kurtin, por edhe mbi partitë opozitare, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në vazhdimin e ngërçit politik.
“Pra, Kryeministri Kurti mban përgjegjësi, por ai nuk mban përgjegjësi i vetëm. Edhe opozita është përgjegjëse për këtë bllokadë të vazhdueshme. Është artificiale, plotësisht e papranueshme dhe po i sjell përfitim Serbisë, sepse Serbia më pas është në gjendje të thotë: ‘Shikoni këtë kaos’”, deklaroi ai.




























