Josep Borrell: Nuk jam kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës

E publikuar: 05/05/2020 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe zyra e tij e mandatuar për të ndërmjetësuar bisedimet e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë duket se nuk e përjashtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve në rast të një marrëveshjeje eventuale ndërmjet dy palëve, një opsion ky që Gjermania, disa vende të BE-së si dhe Mbretëria e Bashkuar e hedhin poshtë për shkak të frikës për konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor.

Borrell në një intervistë me gazetarë të mediave nga rajoni i Ballkanit Perëndimor ka thënë se u takon dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë të vendosin se për çfarë do të merren vesh.

Sipas tij, nëse palët merren vesh, “BE nuk mund të jetë me katolik sesa Papa”, shkruan dtt-net.com.

Ndryshe, ditë më parë Borell ka thënë se Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i qëndrueshëm pa një perspektivë të qartë të BE-së.

Në fjalimin e tij drejtuar euro-deputetëve, ai kishte thënë se mungesa e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës ishte çështja më e vështirë në Ballkanin Perëndimor.

“Për të pasur një perspektivë të qartë, BE duhet të punojë për të zgjidhur dallimet midis Kosovës dhe Serbisë”, ishte shprehur Borrell.