Jo veç Albulena Haxhiut, raportohet se edhe Xhelal Sveçlës e Shpejtim Bulliqit iu shty vizita në ShBA

E publikuar: 09/11/2022 21:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Përveç Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, vizita për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportohet se u është shtyrë edhe Ministrit Xhelal Sveçla dhe Kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Shtyrjen e vizitës e ka konfirmuar vetë Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, derisa për shtyrjen e vizitës së Sveçlës s’ka ende ndonjë konfirmim.

Sa i përket asaj të Kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqit, e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia.

Bulliqi planifikonte të shkonte në ShBA, javën e ardhshme.

I pyetur nëse kjo vizitë është vendosur për një kohë tjetër nga SHBA-të, Zhitia ka deklaruar se sipas informacioneve që ai posedon, kërkesa i ka shkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Takimin e ka shty ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi që me sa kam informacione kanë pasë me marrë pjesë edhe disa komuna të tjera. Kryetari ka apliku për vizë amerikane, i është lëshu viza për pesë vjet, ka qenë i planifikum takimi për javën e ardhshme. Por sipas informacioneve që i kam unë, ministri Elbert Krasniqi ka kërku që vizita me u shty”, ka thënë Zhitia për Nacionale.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier në një bisedë me gazetarë, është përgjigjur në pyetjen nëse i është refuzuar viza për në SHBA ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu. Ai nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë, por ka thënë se nuk është koha që ministrat të udhëtojnë jashtë vendit, pasi kemi një krizë në Kosovë, dhe duhet angazhuar nga brenda që ajo të zgjidhet.

Hovenier duke u përgjigjur në pyetjen rreth vizës për ministren Haxhiu, ambasadori ka thënë se nuk e sheh të vështirë që një ministër të merr vizë për në SHBA, por tani sipas tij meqë jemi në këtë krizë pas ngjarjeve në veri, mbase nuk është koha më e duhur që ministrat të udhëtojnë për në SHBA për takime zyrtare.

“Kjo këtu është enigmatike. Janë dy çështje. Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA’së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”, ka thënë ambasadori Hovernier në një bisedë me disa gazetarë të pritur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku ka qenë i pranishëm edhe drejtori i gazetës online Reporteri.net, Bekim Kabashi.

Përveç ministres Haxhiu, ambasadori Hovenier, ka thënë se as ministrat tjerë nuk duhet të udhëtojnë për në SHBA, që krizat të trajtohen këtu, dhe thotë se këtë ua kanë komunikuar zyrtarëve të ndryshëm në qeveri.

“Është një çështje tjetër e ndarë prej kësaj nga udhëtimi për në ShBA për takime zyrtare. Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, ka thënë Hovenier./Reporteri.net