Ka dhënë dorëheqjen këtë të martë nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Didi ia ka komunikuar vendimin e tij të parevokueshëm ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si dhe kryeministrit Edi Rama.
Në shkresën e tij, drejtori i derimësotëm i Policisë së Shtetit e argumenton dorëheqjen me ndalimin e dy zyrtarëve të lartë të Interpol Tiranës, në lidhje me urdhër-arrestin e Brukselit për deputetin Mark Frroku.
“Shkelja e proçedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cënoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ndonëse ishte ky institucion që e korrigjoi gabimin. Për këtë arsye, duke e vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj, si dhe duke vlerësuar se nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i drejtorit të përgjithshëm”, thotë Didi në shkresën e tij.
Ndërkohë, burime nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur se, pas dorëheqjes së Didit, nëndrejtori Haki Cako është komanduar në krye të Policisë së Shtetit. / Top Channel