Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë hapjen zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomik për projektin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në TC Kosova A”.
Për këtë tender janë dorëzuar pesë aplikacione, Grupi i Operatorëve Ekonomik SBB Energy S.A; Intering Sh.P.K; Ethos Energy, Kompania Limak Insaat Sanay ve Ticaret A.S, Kompania Golden Concord Group Limited; Grupi i operatorëve Ekonomik KEPCO Plant Service&Engineering Co, LTD;DYPNF Co., Ltd; BHI CO., Ltd dhe Grupi i operatorëve ekonomik HIB Petrol Sh.P.K; Florian Viqa, NTPC Limited.
Ky aktivitet i prokurimit ka qenë i hapur që nga data 23 janar 2025, dhe së fundmi ishte pezulluar përkohësisht pas një ankese të paraqitur nga një operator ekonomik për kritere si diskriminuese. Megjithatë, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka hedhur poshtë këtë ankesë, duke i hapur rrugë KEK-ut që të vazhdojë tutje me procedurat e tenderimit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vlerësuar projektin si jetik për të ardhmen energjetike të vendit, duke theksuar rëndësinë e investimeve serioze në njësinë A3.
Ministrja ka nënvizuar gjithashtu përfitimet teknike dhe ambientale që sjell ky projekt, përfshirë efikasitet më të lartë të djegies së qymyrit dhe ulje të konsumit për megavat-orë të prodhuar.
“Ky bllok për dekada të tëra ka punuar në kushte të vështira, shpesh nuk ka pasur kapacitetin teknik që të punojë fare, sepse përtej remonteve të domosdoshme, të shpeshta nuk ka pasur investime serioze që do t’ia rrisnin stabilitetin dhe jetëgjatësinë. Me këtë investim që po planifikohet dhe po realizohet blloku A3 do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera me një investim nga mjetet vetanake të KEK-ut në vlerë prej 137 milionë euro, do të sjellë përfitime të shumëfishta. Do të prodhojë më shumë nga vetëm 130 sa prodhon aktualisht do të prodhojë 215 megavat bruto. Do të punojë më gjatë, nga 5 mijë e 400 orë operimi në vit do të rritet në 7 mijë e 700 orë operimi në vit, do të djeg më pak qymyr për çdo megavat orë që e prodhon”, ka thënë Rizvanolli.
Në adresimin e saj, Rizvanolli ka komentuar edhe kritikat e fundit të deputetëve opozitarë në lidhje me projektin.
“E kemi parasysh se ju si menaxhment, si punonjës, si bord jeni cak i sulmeve, për të cilat caku përfundimtar nuk jeni ju por janë të natyrës politike ose të interesave tjera dhe ne e kemi parasysh se kjo e bën nganjëherë punën e juaj më të vështirë, mirëpo ne ju falënderojmë që qëndroni në këtë punë dhe e bëni me profesionalizëm dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të mbeteni besnik ndaj KEK-ut, ndaj interesit publik dhe përderisa e bëni këtë Qeveria do të vazhdojë të qëndrojë prapa jush”, ka shtuar Rizvanolli.
Derisa kryeshefi i KEK-ut, Gamos Hashani, ka vlerësuar hapjen e fazës së aplikimeve si një moment historik.


















