Policia e Shkodrës ka zbuluar dhe sekuestruar maska, paruke, jelekë antiplumb dhe kokore metalike si të Policisë, armë gjahu, municion luftarak dhe sende të tjera që dyshohet se do të përdoreshin nga grupe kriminale, për të kryer krime kundër personit dhe pronës.
Zbulimi, bazuar në inteligjencën policore dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”.
Në flagrancë u arrestua 26-vjeçari Ragip Gila që posedonte në banesë, sendet e kundërligjshme dhe lëndën narkotike.
Gjithashtu, gjatë operacionit policor u sekuestrua edhe 1 kavanoz dhe 13 pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, si dhe një sasi tjetër e kësaj lënde, e ndarë në doza, gati për shitje në afërsi të shkollave, lokaleve dhe në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.
“Në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi fals”, kanë ndërhyrë në banesën e 26-vjeçarit R. G., ku kanë gjetur dhe sekuestruar 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis”, bëri me dije policia.