Javën e ardhshme pritet të caktohen raportuesit për Kosovën nga Këshilli i Evropës (KiE), pas kalimit të fazës së parë për anëtarësim në KiE më 24 prill. T
ë njëjtit pritet të vijnë në Kosovë dhe të hartojnë raporte për çështjet juridike, politike dhe për barazi e të drejtat e komuniteteve. Ndërkaq, veçse janë caktuar dy juristë që nuk janë deputetë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së të cilët do të bëjnë raportin e parë për Kosovën në lidhje me kushtetutshmërinë dhe të drejtat e minoriteteve.
Në MPJD janë optimistë se Kosova do të kalojë edhe fazat e radhës për anëtarësimin e plotë në këtë institucion ndërkombëtar, derisa thonë se s’kanë asnjë sinjal se zhvillimet e fundit në Kosovë do të stopojnë procedurat e anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress se pas caktimit të raportuesve për Kosovën, në mbledhjen e radhës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, situata e anëtarësimit në këtë institucion do të jetë më e qartë.
Sidoqoftë, ai thekson se lobimi i tyre është që procesi i anëtarësimit të shkojë sa më shpejt që të jetë e mundur, por gjithmonë duke u bazuar në meritokraci dhe jo të ndërlidhet me çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me Këshillin e Evropës.
Ahmeti shton se procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës ka të bëjë me kriteret e demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, në të cilat sipas tij, Kosova ka përparim të jashtëzakonshëm në këto fusha.
Andaj, ai thotë se tensionimi i situatës në veri dhe raportimet për masa shtrënguese të BE-së ndaj Kosovës nuk duhet të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE.