Java e 5 e Superiores, dy takime ende “pezull” (Video)

E publikuar: 22/09/2015 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Do të luhet në dy ditë Java e 5 e Kategorisë Superiore. FSHF publikoi kalendarin e turit të rradhës duke konfirmuar zhvillimin e të gjitha ndeshjeve brenda fundjavës, ndërkohë që si pasojë e rikonstruktimit të stadiumeve, mbeten ende pa u saktësuar zyrtarisht se ku do të luhen 2 nga 5 takimet e javës së pestë. Të shtunën sipas programit do të luhen 3 takime, gjithcka nis në orën 13.00 me Tërbuni-Partizani që cel siparin e javës së pestë. Takimi do të luhet në stadiumin “Ismail Xhelali” të Pukës që morri vetëm pak orë para startit të kampionatit licensën e FSHF, ndërkohë që nuk pati këtë fat edhe stadiumi i Ballshit, “Adush Muca” që ende nuk ka marrë miratimin për zhvillimin e ndeshjeve nga institucioni i futbollit shqiptar.

Për këtë arsye mbetet ende pezull, pa një stadium të konfirmuar ndeshja që starton të shtynën në orën 16:00 Bylis-Skënderbeu. E shtuna e Superiores mbyllet me Tirana-Teuta, që do të luhet në stadiumin Qemal Stafa në orën 19:00 pasi “Selman Stërmasi” nuk është ende gati. Takimi tjeter që mbetet pezull është ai mes Vllaznisë dhe Lacit, i programuar për të dielën në orën 13:00 dhe që me shumë mundësi mund të luhet në stadiumin e Pukës, ndërsa java e 5 mbyllet me takimin mes Kukësit dhe Flamurtarit në “Zeqir Ymeri”.