Nga 24 mijë mësimdhënës në Kosovë vetëm 7 mijë prej tyre e kanë marrë vaksinën anti-Covid. Interesimi i ulët nga punëtorët arsimor për tu vaksinuar po shihet si shqetësuese nga SBASHK, shkruan Infosot.com
Kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj në një prononcim për Infosot.com thotë se mësimdhënësit duhet sa më shpejt që të paraqiten në qendrat e vaksinimit.
“Të punësuarit në sektorin e arsimit sa më shpejtë që të jetë e mundur të paraqiten në qendrat e vaksinimit për ta marrë vaksinën dozën e parë por edhe dozën e dytë. Në këtë mënyrë do të jenë të mbrojtur dhe të përgatitur që ta fillojnë sa më mirë vitin shkollor dhe të ketë rrjedhë të mbarë.” Thotë Jasharaj.
Tutje, Jasharaj njofton se për të diskutuar për këtë cështje, do të takohet javën tjetër me ministren e arsimit Arbërie Nagavci. Jasharaj thotë se nëse mësimdhënësit prapë do të refuzojnë të vaksinohen, atëherë do ta mbështesi cdo masë të marrë nga institucionet arsimore.
“Të martën do ta kemi një takim me ministren e arsimit Arbërie Nagavcin dhe besoj që së bashku do dalim me një apel të përbashkët përmes mediave dhe besoj se ky apel do të ndikoj tek punëtorët e arsimit. SBASHK-u nuk ka ndonjë mundësi të marrë masa, ne jemi ata që i mbrojmë mësimdhënësit por nëse institucionet dalin me ndonjë propozim apo ndonjë masë që do të ndikonte në vaksinim, atëherë ne nuk do ta kundërshtojmë” përfundon Jasharaj për Infosot.com
Kujtojmë se ka mbetur rreth një muaj deri ne fillim të vitit të ri shkollor 2021-2022./Infosot.com/