Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mësuesit në Kosovë, me mosekzekutimin e pagave për shtator, po ndëshkohen “për grevën legjitime në kohën kur për të njëjtën grevë ua dha pagat shërbyesve civilë që me qëndrim dinjitoz ishin në grevën e njëjtë”.
Sipas tij, në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, kur mbi 30 milionë mësues në botë kanë festë, në Kosovë “festojnë të dëshpëruar”.
“Është 5 Tetori dita ndërkombëtare e mësuesit. Sot të 31 milionë mësuesit, anëtarë të Internacionales Botërore të Arsimit, e në këtë numër bëjnë pjesë edhe anëtarësia e SBASHK-ut, me aktivitete shënojnë këtë ditë të madhe të mësuesit. Sot lartësohet kujtimi për sakrificat sublime të mësuesit nëpër vite e dekada. Sot rikthehet kujtimi edhe për mësuesit e Kosovës, që në vitet e 90-ta kanë bërë sakrifica sublime në mbrojtje të dritës kundër errësirës e duke ruajtur idealin dhe shpresën për Kosovën shtet.
Sot, më 5 tetor miliona mësues të botës kremtojnë ditën e tyre dhe blejnë ndonjë dhuratë e ca gjësende për të festuar, ndërsa punëtorët e arsimit në Kosovë festojnë të dëshpëruar e pa pagat deri në këtë moment kur po shkruaj këtë shkrim. Qeveria e tyre i ndëshkojë për grevën legjitime në kohën kur për të njëjtën grevë ua dha pagat shërbyesve civilë që me qëndrim dinjitoz ishin në grevën e njëjtë. Punëtorët e arsimit janë në pritjen e arsyeshme, që bile në pjesën e dytë të ditës së madhe të 5 tetorit, Ditës ndërkombëtare të mësuesit, të marrin pagat e të blejnë ndonjë dhuratë modeste e ta festojnë këtë ditë të madhe, por nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe gjithë bota do ta kuptojë se Qeveria po sjell mesazhe pikëllimi për mësuesin e Kosovës edhe në këtë ditë të madhe të mësuesit kudo në botë”, ka shkruar ai në një letër të dërguar për mediat.
Teksa po kalojnë orët e fundit të afatit deri kur me kontratë parashihet që punonjësve në sektorin publik t’u ekzekutohen pagat, Qeveria nuk i ka ekzekutuar pagat duke u arsyetuar në nenin 18 të Ligjit për paga që parasheh që “gjatë zhvillimit të grevës, të pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.
“Greva në sektorin publik kishte filluar më 25 gusht. U pezullua javën e kaluar, pas votimit të sindikatave. Është paralajmëruar që greva do të rifillojë në janar në rast se nuk plotësohen kërkesat. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria u shpreh se s’do t’i paguajë mësimdhënësit grevistë. Më 4 tetor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci propozoi pagë avancë për mësimdhënësit, si kompensim për zëvendësim të orëve me ndryshim të kalendarit shkollor. Sindikata e Bashkuar për Arsim ka paralajmëruar veprime në rast se pagat nuk do të ekzekutohen deri sot në ora 16:00.