Analisti politik serb Dushan Janjiq beson se do të arrihet një marrëveshje për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse, siç thotë ai, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka hequr dorë nga targat ilegale të Serbisë.
Sipas mediave serbe, Janjiqi ka thënë se Vuçiqi ka propozuar në Bruksel që Serbia të mos shtypë targat e qyteteve të Kosovës (KM, PE, PR, PZ, DJ, GL, UR) në të ardhmen, por kryeministri i Kosovës ka kërkuar garanci nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja se ajo do të respektohet dhe se do të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar mbrëmë vonë se pranon kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen për 48 orë të zbatimit të masës për ndëshkimin e shoferëve që nuk kanë ndërruar targat me shenja serbe dhe Janjiqi vlerëson se masa e ndëshkimit të pronarëve me targa KM është shtyrë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
Kështu, sipas Janjiqit, në vitin e ardhshëm pronarët e veturave në veri të Kosovës me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë do të duhet të riregjistrojnë veturat e tyre.
“Në Kosovë do të mund të lëvizin vetura me targa RKS dhe SRB të njohura ndërkombëtarisht, por jo automjetet me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Prandaj, banorët e veriut të Kosovës që nuk duan targa RKS do të duhet të regjistrojnë vendbanimin e tyre në Serbinë qendrore dhe të regjistrojnë veturat e tyre në p.sh. KG, BG, KŠ, LE dhe targa të tjera”, ka shpjeguar Janjiqi, përcjell Telegrafi.
Ai ka vlerësuar se numri i veturave me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga MPB-ja e Serbisë shumë shpejt do të zvogëlohet në një numër simbolik.
“Për një vit nuk do të ketë targa të qyteteve të Kosovës në veri të Kosovës. Vuçiqi do të marrë një vendim zyrtar për të anuluar shtypjen e targave të qyteteve të Kosovës dhe Kurti dhe për të shtyrë përkohësisht gjobitjen e tyre. Problemi me riregjistrimin do të zhduket me kalimin e kohës, sepse nuk do të ketë më targa KM”, tha në fund Janjiqi.