Asdren Mekaj, avokati i të dyshuarit për vrasjen e nënës së tij në qytetin e Pejës ka thënë se është e nevojshme që klientit të tij t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik për shkak të deklaratave që ai i ka dhënë gjatë bisedës që kanë pasur.
Ai ka konfirmuar se klienti i tij ka thënë se “Më ka detyruar shërbimi informativ rus”, “Jam i dërguar i profetit”, “E kam shpëtuar shqiptarinë” dhe “Jam Skënderbeu i ri”.
Për këtë arsye ai tha se nga Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që 30-vjeçarit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.
“Dy herë ka tentuar Prokuroria që ta intervistojë klientin tim, por nuk ka mundur për shkak të gjendjes së tij të rëndë mentale dhe shëndetësore. Për arsye të mungesës së komunikimit të mirëfilltë mes meje dhe të mbrojturit, përveç që më pengon mua të ofroj mbrojtje efektive, në përputhje me Kodin e Etikës dhe në përmbushje të të drejtës fondamentale që e gëzon çdo person i dyshuar për një krim, pavarësisht kësaj unë thellësisht besoj se është shumë e nevojshme që t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik”, ka thënë ai për Telegrafin.
Tutje, avokati bëri të ditur se nga prokurorja e rastit, në seancën gjyqësore të shtunën ka marrë konfirmim se një ndër veprimet e para që do të bëjë do të jetë shqyrtimi i kërkesës për dërgimin e të dyshuarit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë njoftoi të shtunën se të dyshuarit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar.