Në paraqitjen e tij të parë në sallën e gjyqit në Hagë, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh i mllefosur me trajtimin që i është bërë që prej ditës së arrestimit. Krasniqi, i cili u deklarua i pafajshëm, tha se Dhomat e Specializuara po e trajtojnë si kriminel.
Ish-kryetari i Kuvendit, tha se ndaj tij po bëhet padrejtësi e madhe duke shtuar se nuk mban përgjegjësi për asnjë nga pikat e aktakuzës me të cilat po ngarkohet.
“Kaq të padrejtë sa më kanë bërë sot prej burgut deri këtu, duke m’i lidhur duart, duke m’i kontrolluar dhjetëra herë, kurrë në jetën time një njeriut nuk ia kam bërë. Keni procedura që mund të jenë të përshtatshme për kriminel, por jo për mua. Prokuroria e di, se i kanë marrë edhe librat që kam shkruar unë, i kam shkruar 15 libra dhe ndjehem shumë mirë, por ndjehem shumë keq për padrejtësinë jo pak, por tepër të madhe, dhe po e përfundoj, as kaq padrejtësi sa më keni bërë nga ora 6:00 e 4 nëntorit e deri më tani, nuk e kam merituar. Dhe nuk ka askush që këtë padrejtësi mundet ta arsyetojë. […] Po i kuptoj ata njerëz, edhe këta që janë këtu që sillen me mua, mendojnë që unë përnjëmend jam kriminel, unë jam intelektual, i arsimuar për të qenë mësues, por i detyruar të luftoj kundër Serbisë”, tha Krasniqi.
Ai kundërshtoi cilësimin e prokurorit që i ka bërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “ndërmarrje kriminale e përbashkët”, duke theksuar se UÇK bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian ishin ndërmarrje e përbashkët çlirimtare e shtet-formuese.
“Cilësimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara, se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time, që luftuam gjatë por edhe për kombin tonë, nuk ka diçka më fyese pasi në një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira, jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e të shtet-ndërtimit, të cilat i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian, me NATO-n , me OKB-në, të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtet-formuese. Ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët në Serbi, ishte dhe është këmbë e krye, vetëm koka e saj në Beograd, vetëm mbështetësit e politikave të Beogradit”, tha Kransiqi.
Në fjalën e tij para gjykatësit të procedurës paraprake, Krasniqi tha se “adresa e qartë e kësaj maskarade është në Beograd dhe të mbështetësit e politikave të saj kudo qofshin ato”.
Për akuzat e ngritura ndaj tij, Krasniqi qysh në seancën e parë u deklarua i pafajshëm dhe tha se nuk mban përgjegjësi për asnjë nga akuzat që rëndojnë mbi të.
“Jam tepër i mllefosur, këtu gjendem pa të drejtë dhe ndaj meje është bërë padrejtësi e madhe, sikur edhe një faj ta kisha, do ta ndjeja vetën të turpëruar, andaj reagimi im është për këtë, jam këtu pa të drejtë, unë duhet të jem në vendin tim dhe familjen time. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi që të tjerët apo dikush tjetër, mendoj që ka këtu teprime, por unë nuk ndjej asnjë përgjegjësi të vetme dhe padrejtësia ndaj meje është tepër e madhe…Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë. Unë deklarohem jo fajtor, nuk kam asnjë faj të vetëm, nuk di s’i ta them ndryshe”, tha Krasniqi para gjykatësit.
Krasniqi tha së më 2006, Akademia e Shkencave të Serbisë ka synuar ngritjen e një Tribunali për Kosovën, dhe sipas tij e ka arritur qëllimin duke krijuar një të tillë, një etnik.
E Venkateswari Alagendra e cila është caktuar të mbrojë ish-zëdhënësin e UÇK-së, tha se do të kërkojnë lirimin me kusht të Krasniqit.
“Kërkoj që dokumentet kryesore ligjore të Zyrës së Prokurorit të specializuar të mund t’i vihen në dispozicion zotit Krasniqi në gjuhën e tij dhe kemi si synim që të bëjmë një depozitim për lirimin paraprak ose me kusht sa më shpejtë të jetë e mundur zoti gjykatës”, tha ajo.
Jakup Krasniqi do të mbrohet nga një avokate nga Malajzia, Venkateseari Alagendra. Por në seancën e sotme bëri të ditur se avokatin e ka pranuar pas presionit që i kanë bërë familja dhe miqtë, meqë siç tha ai, nuk i duhet avokati.
Ai tha se në muajt në vazhdim do të ofrojë fakte që do të dëshmojnë se asnjë nga akuzat që po i bëhen nuk qëndrojnë.
Jakup Krasniqi u arrestua dhe u transferua në paraburgimin në Hagë më 4 nëntor 2020. Në të njëjtën ditë hetuesit e Speciales në bashkëpunim me EULEX-in bastisën edhe pronat e tij në Kosovë./G.Kadrija