Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga pati një takim me Drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), zonjën Feride Rushiti dhe një grup të viktimave civile të luftës të cilat marrin shërbime nga kjo qendër, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.
Presidentja Jahjaga përgëzoi punën e kësaj Qendre, duke shprehur përkushtimin institucional për viktimat civile të luftës dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ajo theksoi nevojën e mbështetjes institucionale dhe shoqërore për trajtimin me dinjitet për kategoritë më të ndjeshme të luftës dhe shprehu vlerësimin më të lartë për sakrificën e tyre.
Presidentja Jahjaga shprehu falënderimin e saj për përkrahjen e vazhdueshme të kësaj qendre dhe të të gjithë organizatave joqeveritare të grave që i kanë dhënë viktimave civile dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar se institucionet dhe e gjithë shoqëria duhet të punojnë së bashku për të garantuar rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e tyre.
Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve të vendit për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ofruar shërbimet e parapara me ligjet e vendit për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.


















