Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në Samitin Bërdo-Brioni, që i zhvilloi punimet sot në Zagreb të Kroacisë.
Në samitin, që është nismë e përbashkët e Presidentes së Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe Presidentit të Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane, morën pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ai i Shqipërisë, Bujar Nishani, i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i Serbisë, Tomislav Nikoliq, si dhe treshja nga Presidenca e Bosnje e Hercegovinës, Dragan Coviq, Bakir Izetbegoviq dhe Mladen Ivaniq, njofton kumtesa presidenciale.
Mysafir i Samitit është zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ndërsa në punimet e samitit morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, transmeton Koha.net.
Pas pritjes zyrtare të presidentëve nga bashkorganizatorët, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe Borut Pahor, Samiti i zhvilloi punimet në sesionin plenar.
Në fjalën e saj në këtë sesion, presidentja Jahjaga, ndër të tjera theksoi:
Nuk ka dyshim që përparimi në rajon është i jashtëzakonshëm. Shumica e problemeve tona sot janë probleme dhe sfida të shteteve në zhvillim e sipër. Përparimi është i dukshëm në angazhimin tonë aktiv me njëri-tjetrin, bashkëpunimin dhe zhvillimin e relacioneve të mira fqinjësore.
Ka ende çështje që duhen adresuar, por në tërësi realiteti i dekadave të fundit është pranuar dhe përkrahur.
Republika e Kosovës, si shteti më i ri në Evropë, është e përkushtuar ndaj reformave dhe jemi të vendosur në përcaktimin tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, mundësi unike për ta vendosur rajonin në rrugën e pakthyeshme të paqes dhe të prosperitetit.
Kemi shënuar përparim dhe ky përparim na ka sjellë deri te mesi i rrugës. Por, ne na nevojitet edhe një shtytje për t’u siguruar që përparimi ynë individual dhe kolektiv është i pakthyeshëm. Për këtë na duhen pranë nesh SHBA dhe Bashkimi Evropian.
Përparimi në rajon është ende i brishtë. Jemi në udhëkryq e disa nga ne edhe në vijë të frontit të disa fuqive të tjera që rrezikojnë ta zmbrapsin atë që e kemi ndërtuar bashkërisht për këto dy dekada, stabilitetin dhe paqen.
Andaj është e rëndësishme të avancojmë momentin e integrimit evropian dhe në NATO. Kemi shumë punë për të bërë dhe Kosova nuk do të kërkojë rrugë të shkurtër, por duhet ta mbajmë në mend që ky është shans unik për të normalizuar rajonin një herë e përgjithmonë.
Kosova, e cila së shpejti shënon tetëvjetorin e pavarësisë, është shumë krenare me suksesin e përbashkët, një pjesë e madhe e të cilit lidhet me emrin tuaj, zëvendespresident Biden, dhe u jemi mirënjohës të gjithëve që forcuan sovranitetin tonë si shtet i pavarur përmes angazhimit tuaj aktiv përgjatë këtyre dy dekadave.
Kosova sapo ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në, që është hapi ynë i parë formal drejt ambicies sonë të anëtarësimit dhe është shenjë e qartë e përparimit në zbatim të reformave dhe përkrahjes së vlerave evropiane. Shpresojmë që kjo marrëdhënie me BE-në do të krijojë përparim ekonomik, programe për të rinj dhe mundësi punësimi për popullatën tonë të re të kësaj pjese të Evropës.
Kosova nuk ka dyshime për të ardhmen e saj. Ne e shohim veten si anëtarë të BE-së dhe NATO-s, agjendë kjo që bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës.
E kemi mbajtur fjalën për t’u bërë shtëpi e të gjitha komuniteteve etnike.
Kemi investuar shumë kohë dhe kapital politik në dialogun me Serbinë për të normalizuar relacionet mes shteteve tona. Përparim i rëndësishëm është bërë në arritjen e disa marrëveshjeve. Përparimi ynë duhet të matet me implementimin e këtyre marrëveshjeve si kusht në rrugën tonë drejt BE-së dhe ndikimin që marrëveshjet do të kenë jo vetëm në plotësimin e standardeve të Brukselit por për pajtimin e mirëfilltë mes shteteve tona në frymën e vërtetë evropiane. Kjo do të thotë që kemi përgjegjësi, sidomos për t’u përmbajtur nga retorika dhe veprimet që kanë nxjerrë nga binarët këtë rajon në tri dekadat e fundit.
Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e dialogut dhe bashkëpunimin rajonal. Ne nuk shohim alternativë tjetër.
Sa i përket çështjes së sigurisë, jemi faktor i rëndësishëm në çështjet e sigurisë. Fatkeqësisht, nuk kemi qenë imunë nga kërcënimi global i DAESH, por e kemi adresuar kërcënimin e pjesëtarëve në lufta të huaja dhe aktivitetet terroriste me vendosmëri. Po ashtu, kemi zgjeruar bashkëpunimin tonë me vendet e tjera të rajonit. Muajin e kaluar, forcat tona të rendit dhe të sigurisë, së bashku me ato të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, kanë goditur rekrutuesit e pjesëtarëve të luftërave të huaja nga rajoni për DAESH. Ne kemi intensifikuar këmbimin e informatave me aleatët tanë kryesorë, me qëllim që ta ndërpresim këtë praktikë. Ne kemi qenë po aq të suksesshëm në Kosovë në konfrontimin e rekrutuesve dhe përkrahësve të tyre.
Këto operacione kanë pasur efekt të madh dekurajues dhe tani numrat e tyre janë zbritur në minimum. Nuk do të ndalemi derisa ta vëmë këtë problem nën kontroll të plotë.
Para se ta përmbyll, dua ta adresoj një çështje tjetër që e brengos rajonin. Për çështjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme, dua t’ju citoj, zëvendëspresident Biden që t’ua mbyllësh derën refugjatëve nënkupton të braktisësh vlerat tona.
Para 16 vitesh gjysma e popullatës së Kosovës ishte spastruar etnikisht nga regjimi i Millosheviqit. Janë pikërisht shtetet përreth kësaj tavoline që na i hapën dyert. Nuk na dëshpëruat dhe ne nuk duhet t’i dëshpërojmë ata që janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftës që po merr jetët e njerëzve të pafajshëm.
Të gjithë u kthyem në shtëpi dhe ndërtuam Kosovën e lirë, demokratike dhe të pavarur.
Kapacitetet e Kosovës mbesin të kufizuara për t’i akomoduar refugjatët, por shpreh përkushtimin tim për të qenë pjesë e zgjidhjes evropiane të krizës së refugjatëve. Kjo përvojë është shumë e njohur për ne.
Na duhet angazhimi aktiv i SHBA-së dhe BE-së për shkak se shansi për sukses është shumë afër. Është një shans historik.
Me lejoni të shpreh falënderimin tim për përpjekjet tuaja t’i ndihmoni shtetet e rajonit për të realizuar vizionin tonë të përbashkët drejt BE-së. Ky forum tashmë ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme duke u bërë simbol se si duket bashkëpunimi rajonal.
Në fund të Samitit, presidentët pjesëmarrës nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Samitit Bërdo-Brioni, e cila bën thirrje për dinamizim të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.