Presidentja Atifete Jahjaga ka marrë pjesë në hapjen e takimit vjetor të Clinton Global Initiative. Jahjaga ka marrë pjesë në këtë takim, derisa po qëndron në Nju Jork në kuadër të aktiviteteve me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.
Jahjaga ka njoftuar për këtë aktivitet në Facebook, ku thuhet:
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në ditën e parë të vizitës së saj në Nju Jork, në kuadër të aktiviteteve me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori pjesë sot në hapjen e takimit vjetor të Clinton Global Initiative.
Presidentja Jahjaga mori pjesë edhe në pritjen e veçantë të Presidentit Bill Clinton për liderët e shteteve dhe të qeverive nga shumica e shteteve të botës.
Në fjalimin e tij që shpalli të hapur punimet e Iniciativës, Presidenti Clinton spikati edhe përparimin e Republikës së Kosovës, duke thënë se ‘fakti që Kosova ka një Presidente grua të re, tregon shumë për progresin që Kosova ka arritur.”
Presidentja Jahjaga është laureate e çmimit për lidership publik të Clinton Global Inititative, i cili i është ndarë vitin e kaluar.
Takimi i Clinton Global Initiative tubon këtë vit shumë liderë shtetesh dhe qindra udhëheqës ekzekutiv botëror për të diskutuar sfidat globale dhe ndërtimin e partneriteteve për të bërë ndryshime pozitive sociale. Kjo iniciativë këtë vit i kushtohet “Të ardhmes së ndikimit.”