Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka falënderuar ekipin dhe stafin e filmit Shok, i cili është filmi i parë kosovar i nominuar për çmimin Oscar.
Premiera e këtij filmi është dhënë të shtunën në mbrëmje në Prishtinë, ku kanë marrë pjesë personalitete të larta të vendit dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
Ngjarja në filmin Shok zhvillohet gjatë periudhës së luftës në Kosovë, derisa dy shokë vënë në provë shoqërinë e tyre, gjatë luftës për mbijetesë.
“Për ekipin dhe stafin e filmit Shok: faleminderit që e përjetësuat rrëfimin tonë. Ndihemi që tashmë e kemi fituar Oscarin tonë”, ka shkruar presidentja Jahjaga në Facebook.
Filmi, me regji dhe skenar të Jamie Donoughue, është nominuar për çmimin prestigjioz Oscar në katergorinë e filmit më të mirë të shkurtër “Live Action Short Film”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar do të mbahet më 28 shkurt.