Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin e shënimit të ditëlindjes së Shkëlqesisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth, organizuar në Prishtinë.
Në një fjalim mbajtur me këtë rast, Jahjaga tha se ndjehet e nderuar që këtë festë të trefishtë sonte e shënojmë së bashku në Republikën e Kosovës, si dëshminë më të prekshme të kohës moderne të përpjekjes tonë të përbashkët për të jetësuar vlerat fondamentale të ngërthyera 800 vjet më parë në Kartën e Madhe.
Duke iu referuar fjalës së Ambasadorit britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell, Jahjaga tha se lidhja e veçantë dhe e pathyeshme mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe ka lindur në kohë lufte dhe një drame të tmerrshme njerëzore, në momentin më të vështirë të historisë tonë, kur të frymëzuar pikërisht nga ideali i lirisë për të gjithë dhe parimi i të drejtave të njeriut, shteti juaj së bashku me aleatët e botës së lirë, doli në mbrojtje të pa kompromis të këtyre vlerave.
“E thatë me të drejtë se miqësia dhe partneriteti ynë po forcohet në paqe derisa po punojmë bashkërisht që në Kosovë ta realizojmë vizionin e qytetarëve të saj për një vend të të barabartëve, në paqe me fqinj, me prosperitet të brendshëm, kontribuuese e barabartë për t’u përballur me sfidat globale”, theksoi Jahjaga, raporton Koha.net.
Tutje, ajo tha se barazia para ligjit është boshti i këtyre përpjekjeve, sepse, sipas saj, nënkupton sundimin e rendit dhe ligjit, ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe gjithëpërfshirjen – të cilat domosdo reflektojnë mbi suksesin e proceseve tona integruese, e mbi të gjitha në legjitimitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve të Kosovës në shtetin e tyre.
Jahjaga shtoi se vlera e “Magna Kartës”, që është edhe vlera themelore e Kushtetutës tonë, është progresive dhe qëllim vazhdimisht për t’u synuar.
“Duke qenë një shtet i ri shumë herë brenda këtyre viteve të pavarësisë kemi qenë të sfiduar. Nganjëherë e kemi parë Kushtetutën tonë si sugjerim dhe ligjet që i kemi aprovuar si standard të cilin duhet plotësuar por jo domosdo duhet zbatuar”, tha ajo.
E para e vendit tha se shteti i së drejtës është i vështirë të ndërtohet, sidomos në një shoqëri për të cilën shteti – e në veçanti sistemi i drejtësisë – shpesh ka qenë sinonim i shtypjes. Por, siç tha ajo, “derisa po i afrohemi përmbylljes së dekadës tonë të parë si shtet e kemi të qartë se nuk ka asgjë më me prioritet se ta bëjmë parimin e barazisë para ligjit dhe dorën e ligjit, pa njohur hierarki dhe fuqi politike, si aspiratën tonë qendrore”.
“Vetëm në këtë mënyrë do t’i sigurojmë qëndrueshmëri dhe prosperitet Republikës tonë”, theksoi Presidentja Jahjaga.
“Kosova me të vërtetë ka shumë heronj. Disa nga ata ju i përmendët në fjalimin tuaj. Ju siguroj se ata janë të shumtë dhe se po e gjejnë zërin e tyre, dhe më e rëndësishmja, ata besojnë në jetësimin e vizionit të një Kosove demokratike. Ata janë heronj të përditshmërisë të cilët pa pushim punojnë që ta realizojnë ëndrrën e tyre dhe të ndërtojnë një trashëgimi e cila do të zgjatë shumë. Ata janë forca dhe inspirimi i këtij vendi”, u shpreh e para e vendit.
Në fund, pasi falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen dhe për faktin se Kosova ka aq shumë miq pranë “përderisa jemi duke e trasuar rrugën tonë përpara”./koha.net/