Jahjaga kërkon parandalimin e eskalimit të mëtejmë të situatës

E publikuar: 18/11/2015 21:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e vendit Atifete Jahjaga ka reaguar në Facebook për ngjarjet e zhvilluara sot në kryeqytet. Ajo i ka quajtur ato të papranueshme dhe ka kërkuar kthim në normalitete të situatës.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të papranueshme, të dhunës në sheshet dhe rrugët e Prishtinës që po dëmton rendin dhe ligjin dhe po cenon rëndë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.

Dhuna kundër policisë dhe vandalizmi i pronës, private e publike, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast. Qetësia dhe rendi duhet të rivendosen dhe kryeqytetit duhet t’i rikthehet normaliteti. Qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhen peng i një situate jonormale që po mbretëron në vendin tonë.

Dialogu dhe institucionet janë mënyra e vetme për të tejkaluar situatën e krijuar dhe duhet të veprojmë bashkërisht në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes”, ka shkruar Jahjaga.