Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga hapi sot konferencën për bashkëpunim ekonomik në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Konferenca prezanton mundësitë dhe kushtet e investimit në Kosovë, njëherit konferenca “Mundësitë Globale” do të diskutojë sinergjitë e bashkëpunimit në mes të Kosovës, shtetit të Ilinoit dhe Izraelit, transmeton Koha.net.
Jahjaga në fjalën e saj ka përmendur miqësitë e Kosovës me ShBA-të dhe me Izraelin, duke përmendur strehimin e izraelitëve në Kosovë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.
“Kjo gjendet edhe në mbështetjen të cilën populli i Kosovës e ka gjetur tek aktivistët hebraikë të cilët avokuan për përfundim të represionit dhe si refugjatë, të cilëve u është ofruar strehë në Izrael gjatë momenteve më të rënda të historisë sonë. Burri im dhe familja e tij ishin në mes të atyre njerëzve”, ka zbuluar një detaj Jahjaga.
Presidentja Jahjaga në rrafshin e raporteve me Shtete e Bashkuara të Amerikës, ajo tha se ata janë aleati ynë kryesor.
“Ata kanë ecur krah për krah me ne për të na ndihmuar që të ndërtojmë një shoqëri në frymën e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka thënë Jahjaga.
“Ne jemi duke jetuar në kohë digjitale, ku nanoteknologjia, inteligjenca artificiale dhe robotika janë ngjarje ditore. Shkencëtarët flasin për Revolucionin e Tretë Teknologjik. Dhe Kosova dëshiron të jetë pjesë e këtij revolucioni. Në fakt, Kosova i ka të gjitha parakushtet që të jetë pjesë e saj”, potencoi Jahajga, duke e mbështetur këtë në popullatën e re të Kosovës, që sipas saj, është mirë e arsimuar dhe flet shumë gjuhë.