Presidentja Atifete Jahjaga, në përfundim të mandatit, ka treguar zhgënjimin e saj me Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët ajo i akuzon se për shkak të papërgjegjshmërisë së tyre po e pësojnë izolimin qytetarët e vendit.
Reagimi i plotë
Dua ta shpreh qartazi dhe publikisht zhgënjimin tim me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që sot dështuan të emërojnë anëtarët e rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit, njëri nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky dështim, në ditët kur në Kosovë pritet ekipi i Bashkimit Evropian për të vlerësuar përparimin e Kosovës në plotësimin e kritereve që jemi zotuar t’i përmbushim, rrezikon të vazhdojë t’i mbajë qytetarët e Kosovës të izoluar për shkak të interesave të ngushta të atyre që prioritet kryesor duhet ta kenë mirëqenien e qytetarëve.
OSHP-ja është institucion i rëndësishëm dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në këtë institucion si dhe ndikimi politik mbi të ka kohë që është bërë pengesë për zhvillimet pozitive në Kosovë.
U bëj thirrje institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit dhe të gjitha subjekteve politike që të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë që ky kriter të plotësohet pa vonesë.
















