Një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës është zhvillimi sa më i shpejt ekonomik dhe ngritja e bruto prodhimit vendor, ka deklaruar sot në Prishtinë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë konferencës me titull “Ekonomia: Me dinamikë të shpejtë.
Konferenca është organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe sektorit privat, për krijimin e kushteve dhe një ambienti sa më të përshtatshëm për të bërit biznes.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka theksuar se sfida më e madhe me të cilën po ballafaqohet Kosova është zhvillimi ekonomik afatgjatë. Ky zhvillim, sipas saj, duhet të udhëhiqet nga sektori privat mirëpo, për ta bërë këtë nevojiten investime të huaja dhe ato vendore.
Jacobson ka shprehur brengën e saj lidhur me statistikat e investimeve të huaja direkte të viteve 2013 dhe 2014, të cilat tregojnë një rënie prej 44,7 për qind dhe ka shtuar se situata nuk është më e mirë as në vitin 2015.
“Nëse dëshirojmë ta përmirësojmë këtë gjendje, atëherë duhet të punohet në disa fusha”, ka thënë Ambasadorja Jacobson duke theksuar se korrupsioni është problemi më i madh i cili e pengon bërjen e biznesit në Kosovë, raporton AA.
“Perceptimi dhe praktika e korrupsionit është faktori kryesor i cili po i lë shije të hidhur investimeve në Kosovë. Është e vërtet se të gjitha vendet ballafaqohen me korrupsion mirëpo, Kosova është në vendin e 111-të nga 177 shtete sa janë të përfshira në Indeksin e perceptimit të korrupsionit, në hulumtimin e organizatës Transparency International dhe ky nuk është përmirësim”, ka thënë ambasadorja Jacobson.
Ajo ka shtuar se, përkundër faktit që ky është vetëm një indeks i perceptimit, Kosova duhet të punojë shumë në ndryshimin e këtij perceptimi dhe mentalitetit, jo vetëm të zyrtarëve të cilët kërkojnë ryshfet por, edhe të kompanive dhe individëve të cilët paguajnë ryshfetin për të fituar tenderët e caktuar.
Ambasadorja amerikane ka vlerësuar se, gjatë këtyre tri viteve sa ka qëndruar në Kosovë, nuk ka pasur përparim në luftimin e korrupsionit.
Në konferencën “Ekonomia: Me dinamikë të shpejtë” në të cilën kanë marr pjesë edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës dhe ekspertët e ekonomisë, ndër të tjera është diskutuar edhe për politikat fiskale dhe motivimit të investitorëve, shfrytëzimit të resurseve natyrore për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe përparimin në sundimin e ligjit si parakusht për zhvillim stabil.