Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) deklaron se ky institucion tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat sa i përket certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve.
Për më tepër, KQZ-ja njofton se tashmë ka përfunduar edhe procesi i akreditimit të vëzhguesve për zgjedhjet lokale të 23 prillit në katër komunat e Republikës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e së dielës, më 23 prill”, thotë Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.
Ai deklaron se gjithashtu, më 27 mars 2023 ka përfunduar edhe afati për tërheqjen e subjekteve politike nga gara zgjedhore.
“Pasi janë përmbyllur të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në zgjedhje, KQZ-ja ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve”, tha ai.
“Së fundmi, procesi i shtypjes së tyre ka përfunduar gjatë ditës së sotme, e enjte”, ka sqaruar Elezi.
Në këtë rast, kjo do të thotë se edhe pse nga gara është tërhequr sot Aleksandar Jabllanoviq dhe partia e tij, Partia e Serbëve të Kosovës, emri i këtij subjekti politik edhe kandidatit për kryetar të komunës së Leposaviqit, do të mbetet në fletëvotime.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka përfunduar edhe aktreditimi i vëzhgueve për zgjedhjet lokale në komunat veriore të 23 prillit.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se të akredituar janë 357 vëzhgues duke përfshirë subjektet politike, përfaqësi të huaja në Kosovë, shtëpi mediave dhe organizata joqeveritare.
Numri i vëzhguesve për parti politike është 75, për përfaqësi të huaja dy, për shtëpi mediatike 171 dhe për organizata joqeveritare është 109.