Jabllanoviq: FAK-un nuk do ta votojmë edhe nëse na jepet Asociacioni

E publikuar: 22/07/2015 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lista Serbe bënë të ditur se nuk do ta votojë shndërrimin e FSK në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) as në këmbim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Udhëheqësi i kësaj liste, Aleksandar Jabllanoviq, ka thënë për mediat serbe se nuk ka pasur negociatat me partnerët kryesorë politikë në Qeverinë e Kosovës, PDK dhe LDK, për gjetjen e modaliteteve që deputetët e këtij subjekti politik ta votojnë FAK-un.

Themelimi i FAK-ut kërkon shumicën e dyfishtë të votave në Kuvend, që i bije se pa shumicën e votave të komuniteteve pakicë, forcat e armatosura nuk do të mund të kalojnë në Kuvend.

Jabllanoviq ka bërë të ditur se kjo listë do t’i përcjellë instruksionet që vijnë nga qeveria në Beograd.

“Pohimet se ekziston një marrëveshje se nëse formohet Asociacioni i Komunave Serbe, ne do të pranojmë themelimin e FAK-ut, janë spekulime”, ka thënë Jabllanoviq, transmeton lajmi.net.

Ai ka vlerësuar se formimi i FAK-ut, paraqet një rrezik në sigurinë e të gjithë Ballkanit.