Kompania “Geci Autokton” është gjobitur nga Doganat e Kosovës me arsyen se ka bërë deklarim të rrejshëm të produktit që e ka importuar në Kosovë nga Zvicra.
“Geci Autokton” ka sjellë një sasi qirinjsh për riciklim, ku edhe saktësohet në dokumentet që i posedon Indeksonline, por Doganat e Kosovës ia kanë shqiptuar një dënim që pronari i kompanisë e kundërshton.
Gjoba e shqiptuar nga Dogana e Kosovës për këtë kompani është 5 mijë e 300 euro.
Po ashtu Dogana ia ka faturuar kompanisë kosovare edhe rritjen e çmimit blerës nga 33 centë në 85 centë, gjë që ka bërë që pagesa e doganës të shumëfishohet, duke pamundësua që kompania të jetë në gjendje të paguaj shumën.
Kjo kompani bile thotë ky vlerësim i dëmit i bërë padrejtësisht nga Dogana e Kosovës do të qoj deri në falimentimin dhe mbylljen e biznesit familjar.
Ilir Geci, përfaqësues i kompanisë “Geci Autokton”, ka sqaruar për Indeksonline se në faturën që ia ka lëshuar kompania zvicerane, prej nga edhe e ka blerë mallin, nuk janë qirinj për shitje dhe janë hequr nga tregu zviceran.
Kompania ku e ka blerë mallin Gecaj, e ka sqaruar përmes një letre që malli nuk është për shitje, por për riciklim. “Qirinjtë janë hequr nga shitja në tregun zviceran dhe janë për riciklim”, shkruan në gjuhën gjermane në faturë.
Geci konsideron se Doganat nuk kanë bazë ligjore për gjobën e shqiptuar, për arsye se nuk kanë asnjë dëshmi.
“Geci Autokton” ka bërë ankesë ndaj vendimit të Doganës së Kosovës, drejtoria Podujevë, duke sqaruar plotësisht prejardhjen e mallit dhe qëllimin e tij për përdorim në Kosovë.
Një sjellje e tillë e Doganës së Kosovës ndaj bizneseve vendore është e papranueshme, duke marrë parasysh vështirësitë e mbijetesës së tyre dhe problemet që kanë në plasimin e mallrave si në tregun vendor ashtu edhe atë të huaj. /Indeksoline/