Kroacia sapo ka përfunduar festimet e 20 vjetorit të aksionit ushtarak “Olluja” (Stuhia) datë e cila poashtu shënon edhe shpalljen e pavarësisë së shtetit kroat, përveç çlirimit të territorit nga ish-Jugosllavia.
Në luftën e Kroacisë kontribut të madh kanë dhënë edhe disa ushtarë shqiptarë, pjesa më e madhe nga Kosova. E një nga ta është edhe gjenerali nga Vushtrria Rrahim Ademi.
Ademi njihet si një nga njerëzit kryesorë të aksionit ushtarak “Stuhia” të Kninit në gusht të 1995’ës, bashkë me Franjo Tudman, Gojko Susak, Ante Gotovina etj., shkruan Gazeta Express.
Gjenerali shqiptar mbahet mëndë edhe për një nga skenat më të famshme të luftës kroate për pavarësi. Ai kishte qëlluar me armë nga toka duke rrëzuar një nga dy aeroplanët ushtarak serb (JNA Jastreb J-21 l) të cilët qëndronin mbi qytetin dalmat të Shibenikut. Ngjarja ka ndodhur me 21 shtator 1991 dhe e gjitha ishte filmuar nga kameramani kroat, Ivica Bilan.
Këto pamje vazhdojnë të shfaqen në Kroaci sa herë që kujtohet lufta e tyre për pavarësi dhe çlirim dhe konsiderohen si miti i pathyeshmërisë ushtarake ndaj serbëve, shkruan GazetaExpress.
Ndryshe, Rrahim Ademi në vitin 2001 ishte dorëzuar në Tribunualin e Hagës si i dyshuar për krime lufte, duke u lënë të mbrohet në liri 6 muaj pas dorëzimit. Pas pak kohësh lënda e tij u la në dorë të drejtësisë kroate e cila e shpalli të pafajshëm me 30 maj 2008. /GazetaExpress