Të gjithë e dimë se sa kushtojnë iPhone 6s dhe iPhone 6s Plus, po sa i ka kushtuar kompanisë Apple prodhimi i një njësi të këtyre telefonave inteligjentë?
Sipas një raporti të ri, Apple ka shpenzuar 234 dollarë për variantin me 64GB të iPhone 6s. Ky çmim është pak i lartë në krahasim me iPhone 6, i cili ka kushtuar 205 dollarë, dhe iPhone 6 Plus që ka kushtuar 222 dollarë. Sigurisht që iPhone 6s ofron harduer më të mirë krahasuar me iPhone 6, si paneli 3D Touch apo materiali më i fortë i aluminit që është përdorur për krijimin e kasave.
Elementët e procesorit kanë kushtuar më shtrenjtë, ku 36 dollarë janë harxhuar për radiot e celularit, 25 dollarë për çipin A9 me arkitekturë 64-bit, 22 dollarë për sensorët e ndryshëm (sensori për gjurmët e gishtave, sistemi i pagesave NFC etj) dhe 20 dollarë për 64GB hapësirë të brendshme. Elementë të tjerë të pajisjes, si ekrani, kamerat dhe bateria kanë kushtuar 73 dollarë, ndërsa kasat kanë kushtuar 33 dollarë.
Versioni me 64GB hapësirë i iPhone 6s shitet për 749 dollarë, megjithatë kjo nuk do të thotë se Apple fiton nga 515 dollarë për çdo telefon që shet, pasi ajo ka kosto edhe për prodhimin, tregtimin dhe reklamimin e pajisjeve.

















