ISIS përfiton rreth 80 milionë dollarë në muaj – apo më shumë se 2 milionë dollarë në ditë – por tani financat e tyre kanë nisur të shkurtohen, thuhet në një raport të ri.
Përpjekjet amerikane për të sulmuar rrjedhën e të hyrave të grupit kanë nisur të kenë efekt, sipas një raporti të ri nga firma e hulumtimeve IHS. Shenjat që kanë nisur të shfaqen tregojnë se grupi po bën përpjekje për të financuar vetveten, në formën e “uljes së pagave të luftëtarëve”, rritjen e çmimit të rrymës dhe shërbimeve tjera bazike si dhe prezantimin e taksave të reja bujqësore, thotë raporti, raporton “Business Insider”.
Në vitin 2015, të hyrat e përgjithshme mujore të grupit ishin rreth 80 milionë dollarë. Rreth gjysma e tyre vijnë nga taksat dhe konfiskimet, ndërsa rreth 43 për qind gjenerohen nga prodhimi dhe trafikimi i naftës. Pjesa e mbetur vjen nga droga dhe trafikimi i antikiteteve, shitja e energjisë elektrike dhe donacionet, transmeton Koha.net.
Sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar të drejtuar nga SHBA-të, që pikë së pari ka për qëllim sulmimin e fushave të naftës dhe rafineritë e grupit, janë duke dëmtuar në masë të madhe kapacitetet e rafinerisë së naftës dhe aftësinë për të transportuar naftën përmes mjeteve transportuese.
ISIS ende është në gjendje që të prodhojë naftë por tani është e detyruar të mbështetet në tregjet brenda Sirisë dhe Irakut për të trafikuar dhe shitur naftën. Grupi e ka humbur qasjen e lehtë për në Turqi pas sulmeve nga SHBA-të dhe aleatët e saj dhe përpjekjeve nga qeveria turke për të çrrënjosur trafikimin.
Megjithëse fokusi për të sulmuar burimet e të hyrave nga nafta po funksionon, koalicioni po ka probleme të sulmojë të hyrat e grupit nga taksat, transmeton Koha.net. ISIS detyron qytetarët të paguajnë 20 për qind taksa përbrenda gjithë territorit që e kontrollon për aktivitetet ekonomike dhe shërbime bazike, përfshi tregtinë, qasjen në internet, industrinë dhe bujqësinë, elektricitetin dhe rrjetet e telefonisë mobile.
Për dallim nga al-Qaeda, ISIS-i nuk ka qenë i varur nga donatorët e jashtëm si mënyrë për të fituar autonominë. Të hyrat nga donacionet e jashtme janë shumë më të vogla në krahasim me burimet tjera të të hyrave.