Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se gjendja në vend mbetet e qetë, por me sfida të shumta për sigurinë. Sipas tyre, zhvillimet e fundit në rajon, rritja e ekstremizmit fetar dhe gjendja në veriun e vendit, janë faktorët kryesorë që mund të eënojnë stabilitetin e Kosovës.
Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë në Parlamentin e Kosovës, Daut Haradinaj, thotë se duhet të mendojë për rritjen e sigurisë së saj.
“Krijimi i kapaciteteve, sidomos anëtarësimi në organizatat e sigurisë ndërkombëtare, do të ishte urgjente pasi nuk jemi anëtarë të INTERPOL-it dhe EUROPOL-it dhe është shumë e pamundur të kemi qasje të barabartë ose për të qenë sponsor të sigurisë rajonale. Nuk mendoj që ka gjithmonë rrezik në Kosovë në aspektin e sigurisë individuale, por edhe ne nuk mund të jemi imun përball këtyre zhvillimeve, jo vetëm në rajon”, tha ai.
Haradinaj numëron disa nga sfidat e sigurisë me të cilat mund të përballet Kosova.
“Në rrethanat ekzistuese ka një mos komunikim real në mes etnive, nëse flasim për veriun e Kosovës dhe shumicës në Kosovë; është edhe terrorizmi njëra prej dukurive më negative ku nuk jemi vetëm ne të rrezikuar, por që është një element kërcënues edhe për rajonin”.
Drejtori i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, thotë se megjithëse viteve të fundit incidentet ndëretnike në Kosovë kanë shënuar rënie, ekzistojnë mundësi për një gjë të tillë, posaçërisht në veriun e vendit.
“Ka një potencial për përdorim të forcës, në raport me institucionet e vendit dhe në raport me mos dëgjueshmërinë e qytetarëve serbë apo qarqeve të caktuara në veri në raport me Kosovën”, tha ai.
Një sfidë tjetër, sipas Qehaja, mbetet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme. Ai thotë se të njëjtit potencialisht mund të përdorën nga qarqe të caktuara në dëm të shtetit të Kosovës.
Ai numëron disa nga faktorët që kanë lehtësuar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës për të luftuar përkrah organizatave ekstremiste në Lindjen e Mesme.
“Kontakti i qytetarëve me institucionet është shumë i kufizuar; nuk ka interes Qeveria që të komunikojë me qytetarët as në zona urbane dhe rurale; niveli i ultë i edukimit; një mos zhvillim ekonomik; papunësia dhe izolimi total i Kosovës… kanë bërë që të kemi mundësi për të radikalizuar shtresat e caktuara të popullatës”.
Haradinaj shprehet se pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme e bënë gjendjen e sigurisë të papërshtatshme.
“Shumica e popullit në Kosovë ka drejtim perëndimor dhe kjo na gëzon, pavarësisht religjionit.. Gjithsesi, duhet të jemi të kujdesshëm që t’i marrim masat e sigurisë dhe t’i bindim qytetarët tanë që nuk është e duhur rruga të cilën disa individë e kanë ndjekur dhe t’i bindim që Kosova është shtet perëndimor dhe se e ardhmja e saj është në Evropë”, tha Haradinaj. /VoA/