Almedin Ramizi
Ndërkohë që kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbajtjen e Kuvendit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe analistët politik i japin parashikimet e tyre se kush do të jetë në krye të kësaj partie. Ndonëse në garë për të parin e LDK-së kanë paralajmëruar pjesëmarrje katër kandidatë: Isa Mustafa, Vjosa Osmani, Fatmir Sejdiu e Lutfi Haziri, analistët politik e shohin garën më të fortë ndërmjet dy të parëve, pra ndërmjet kryetarit aktual dhe deputetes më të votuar femër në Kosovë.
Analisti politik, Shpend Kursani në një prononcim për Gazetën Blic ka thënë se gara do të zhvillohet ndërmjet Isa Mustafës e Vjosa Osmanit. Sipas tij, Osmani do ta ketë mjaft të vështirë, për faktin se sipas tij, LDK ështe e kapur nga një klasë e vjetër e kësaj partie.
“Gara brenda LDK-së është mjaft e rëndësishme për zhvillimet që do të pësojnë këtë parti. Është shumë me rëndësi dhe në fakt shumë mirë që brenda LDK-së po konkurrojnë dy kandidatë mjaftë serioz, dhe për dallim prej të gjitha partive tjera të mëdha, kjo garë brenda LDK-së tregon për një element të demokracisë brenda kësaj partie. Edhe pse nuk mund të mohohet se kjo parti përtej kandidaturave dhe zgjedhjeve të brendshme, ka shumë probleme tjera me demokracinë, por kjo që ndodhë në LDK, është një shembull i mirë edhe për partitë tjera që caktojnë vetëm një kandidatë dhe të tjerët e votojnë apo nuk e votojnë”, thotë Kursani.
Ai thotë se LDK-së i nevojitet ndryshimi i lidershipit.
“Të dy kandidatët, pra edhe Isa Mustafa e edhe Vjosa Osmani janë kandidatë mjaftë serioz për të parin e partisë. Zj. Osmani e ka mjaft të vështirë, mirëpo duhet përgëzuar për guximin. Vështirësia e zj. Osmani vjen nga kapja që iu është bërë LDK-së nga një klasë e moçme e kësaj partie të cilët edhe e kanë marr në qafë vetë partinë. LDK-së i duhet ndryshimi i lidershipit në tërësi, nëse kjo parti dëshiron që mos të vazhdoj me rënien e lirë që e ka filluar me hapa të sigurt drejtë ndonjë përfundimi të keq. Të dielën mbetet të shihet nëse zj. Osmani ka arritur që t’i sfidoj zërat e vjetër dhe të së keqes të kësaj partie”, thotë Kursani për Gazetën Blic.
Në anën tjetër, analisti politik, Fadil Lepaja thotë për Gazetën Blic se nuk pret ndryshim të lidershipit në këtë parti.
“Më pëlqen gara me disa kandidat dhe mendoj se kjo paraqet demokraci të brendshme.
Në të gjitha nivelet është zhvilluar një garë dhe duket se ka pasur ndryshime serioze në strukturë”, vlerëson Lepaja.
Ai e sheh Isa Mustafën si favorit për ta fituar garën
“Personalisht nuk kam preferenca, por mendoj se kryetari aktual është favoriti kryesore, dhe se tashmë është ndërtuar një burokraci e brendshme lojale të këtij ekipi qeveritar të kësaj partie, dhe nuk mendoj se ata kanë ndonjë arsye serioze për të ndërruar tabor! Vështire se cilido kundërkandidat i z.Mustafa të ketë ndonjë argument bindës dhe kapacitete për të mobilizuar më gjerë LDK-në në këtë periudhë shumë turbulente që po hyjmë dhe prandaj mendoj se anëtarësia e gjerë do të votojë ekipin qeveritar të LDK-së”, thotë Lepaja për Gazetën Blic.
Të dielën, më 31 maj, 355 delagatët e LDK-së do të votojnë për të parin e partisë së dytë më të madhe në vend./ Gazeta Blic