Shkaqet për të cilat secila gjini mund të kërkojë ndarjen janë shpesh të ndryshme. Si femrat, ashtu edhe meshkujt kanë arsyet e tyre për të vendosur se cili është fundi i një marrëdhënieje. Nëse kohët e fundit keni dëgjuar shprehjen “Ky është fundi, por faji është i imi” dhe ende nuk e keni kuptuar se çfarë ndodhi ja se cilat mund të jenë shkaqet misterioze të ndarjes suaj nga një i dashur.
Fakti numër një që duhet të dini është se një djalë mund t’i kërkojë ndarjen një vajze edhe pse mund ta pëlqejë, e gjitha kjo prej disa llogarive që atij i kanë dalë ndryshe në ekuacionin e lidhjes suaj.
Shtatë arsyet përse një mashkull mund të ndahet me ju:
1. Ana seksuale e lidhjes nuk po e kënaq. Ndonjëherë është një ndjesi e përbashkët. Dy njerëz shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, qeshin, bisedojnë dhe bëjnë të gjitha gjërat si një çift normal, por situata ndryshon në dhomën e gjumit. Kur kjo gjë kuptohet nga të dyja palët ata mund të vendosin të qëndrojnë miq edhe pas ndarjes. Problemi fillon kur vetëm njëri partner e ndien se ka diçka që nuk shkon. Për shumë meshkuj është e thjeshtë të ndahen dhe të largohen në vend që të qëndrojnë për të përmirësuar punët në dhomën e gjumit.
2. Ai po kërkon lidhje të tjera. Le të supozojmë se seksi nuk po ju pengon si në rastin më sipër. Por ndoshta i dashuri juaj mendon se ai mund të jetë më i mirë se aq, se mund të bëjë gjëra të ndryshme me këdo tjetër. Për çudi, meshkujt janë gjithnjë në kërkim të sa më shumë partnereve seksuale që të jetë e mundur, edhe kur janë me dikë që e pëlqejnë.
3. Ai mendon se po kërkon të tjera. Një gjysmë ndarje mund të ndodhë edhe kur krijohet një lloj largimi. Njëlloj si përhumbja shpirtërore, kjo është një përhumbje seksuale, ku partneri juaj mund të jetë duke kërkuar më shumë hapësirë për të qenë i lirë të dalë me të tjera. Duke menduar se do të bënte për vete çdo femër nëse nuk do ishte i lidhur me ju, ai do t’ju kërkojë ndarjen për këtë arsye. Mos u shqetësoni, në këtë rast është një çështje vetëvlerësimi për të cilën nuk mund të bëni asgjë.
4. Shokët e tij nuk ju pëlqejnë. Disa meshkuj janë të dobët kur gjenden përballë presionit shoqëror dhe mund të lënë një vajzë vetëm për këtë arsye. Qofshin të vërteta ose jo shkaqet e nxjerra si fakte nga miqtë, një mashkull që nuk është me këmbë në tokë, mund të vendosë ndarjen.
5. Nëna e tij nuk ju pëlqen. Nëse shokët e tij do t’i bëjnë presion spontan për të shpëtuar prej jush, nëna e tij do të jetë edhe më e ashpër dhe më këmbëngulëse. Keni bërë ndonjë gjë për të shkelur në kallo ‘vjehrrën’ apo është thjesht një problem frojdian, këtë nuk mund ta kuptoni dhe zgjidhni.
6. Fajin e ka shefi. Disa meshkuj janë shumë të orientuar për nga karriera. Nëse i dashuri juaj merr një ofertë për punë në një vend tjetër ku mund të fitojë mirë, ai do të bëjë një zgjedhje të ndershme: punën.
Çdo marrëdhënie kërkon sakrificë dhe për disa meshkuj kjo do të thotë të sakrifikojnë lidhjen e tyre në vend të një vendi pune joshës. Teksa ai punon për të rritur financat e tij, mos u shqetësoni, do të jeni më mirë pa të.
7. Ai nuk mund të përballojë largësinë. Kjo është ndarja më e trishtuar që një mashkull mund të kërkojë. Nëse jeni në një lidhje në distancë dhe gjërat po vështirësohen prej shpenzimeve që atij i duhet të bëjë për t’ju takuar shpesh, atëherë dijeni se po afron fundi.
Kjo lloj ndarjeje, megjithatë mund të mos jetë përfundimtare. Ka raste kur do ta shihni djalin në ndonjëaeroport duke bërë skenat romantike të protagonistëve të filmave romantikë.
Pavarësisht shkaqeve që mund t’ju nxjerrë partneri për këto ndarje të çuditshme, kini besim te vetja se gjëra më të mira do t’ju ndodhin dhe se kush ikën ju jep mundësinë për diçka më pozitive.
Arsye të tjera joserioze përse meshkujt mund të kërkojnë ndarjen.
Zënkat… që mungojnë. Mund t’ju duket qesharake, por ka nga ata që mund të vendosin ndarjen për shkak se e perceptojnë zënkën si një domosdoshmëri të një lidhjeje të shëndetshme.
“Një djalë u nda me mua disa ditë përpara Shën Valentinit, sepse kishte menduar të më bënte dhuratë ripajtimin në ditën e të dashuruarve”, shkruan një përdoruese e internetit në një faqe që merret me çështjet e dashurisë.
Mungesa e interesave të përbashkëta në fusha si arti, muzika apo të tjera mund të sjellë ndarjen e një çifti që i ka këto parësore. Nëse është një arsye serioze ose jo, kjo mbetet për t’u diskutuar.
“Gjërat po bëhen shumë serioze”, është shprehja që do të dëgjoni kur dikush po ndahet me ju në rastin kur mendon se po ecni shumë shpejt drejt diçkaje më serioze si fejesa ose martesa.
Nëse ai ka nevojë për kohë veçmas, dijeni se po kërkon ndarjen prej së largu. Kur gjërat shkojnë mirë në një lidhje, askush nuk ka nevojë për kohë më vete, por nëse lidhja ka filluar të marrë të tatëpjetën, atëherë mos e ndaloni fundin./opozita/