Në takimin që sot e ka organizuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me shefat e Grupeve Parlamentare është diskutuar për Gjykatën Speciale, gjegjësisht për riprocedimin që Qeveria e Kosovës ia bëri amendamentit kushtetues, përmes të cilit i hapej rruga themelimit të kësaj gjykate, por që organi më i lartë qeveris në vend e votoi kundër.
Burime të Gazetës Blic brenda takimit të sotëm kanë thënë se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i ka njoftuar shefat e deputetëve të grupimeve të ndryshme politike se nuk mund të procedohet në këtë variant amendamenti i ridërguar nga Qeveria. Sipas këtij burimi, Veseli ua ka bërë të ditur shefave të GP se nuk ka mundësi ligjore e kushtetuese që të kthehet sërish në Kuvend kjo çështje, për faktin se Kuvendi i ka shtjerrë të gjitha mundësitë.
Në anën tjetër, këshilltari i Veselit, Blerim Latifi ka thënë se gjatë kësaj jave nuk do të diskutohet për Gjykatën Speciale, ngase sipas tij, duhet të konsumohen të gjitha rrugët ligjore e procedurale.
“Këtë të enjte do të ketë seancë, e cila në fakt është vazhdim i seancës së të enjtes së kaluar, por në të nuk do të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese dhe gjykatën speciale, sepse një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa konsumuar procedurat e nevojshme ligjore dhe kushtetuese të cilat kërkohen në raste kur ka propozime për ndryshime kushtetuese”, thuhet në një komunikatë të lëshuar për media nga Latifi.
Në anën tjetër, opozita vazhdon që të mbajë qëndrimin e saj të palëkundur.
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka thënë pas takimit me Veselin se partitë e opozitës janë të gatshme për një konsensus, ku do të vendosej për një gjykatë brenda sistemit vendor të drejtësisë, një gjykatë jo vetëm për shqiptarët por për të gjitha krimet e luftës në Kosovë.
Haxhiu ka thënë se Qeveria nuk ka të drejtë ta ri procedojë në Kuvend një amendament që deputetët e kanë hedhur poshtë. Sipas saj, ri procedimi nënkupton presion dhe dhunë mbi deputetët./ Gazeta Blic