Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Komunës së Gjakovës, që i fitoi zgjedhjet me partinë Aleanca Kosova e Re, nuk ka thënë që është larguar nga partia që themeloi Behgjet Pacolli.
Kusari-Lila ka thënë se vazhdon të jetë anëtare e AKR-së, dhe kthimi i Pacollit në parti, sipas saj, ka qenë e pritshme.
“Nuk është e imja që të komentoj në këtë rast si anëtare e partisë Aleanca Kosova e Re, sepse kjo është e pritshme dhe nuk është hera e parë që kryetari Pacolli është kthyer dhe nuk besoj që ai është larguar ndonjëherë nga skena politike”, ka thënë Kusari-Lila për Indeksonline.
Sipas saj, Pacolli, ka qenë gjithmonë aktiv me mendime dhe opinione për zhvillimet politike në vend.
“Ai ka qenë gjithmonë aktiv me mendime opinione të tija lidhur me skenën dhe situatën aktuale politike”, ka thënë Kusari-Lila.
Kryetarja e Gjakovës kohëve të fundit ka qenë kritikuese e madhe e Pacollit, duke kërkuar nga ai të sqarojë pozicionin e tij në AKR, meqë ai në disa raste kishte thënë se është larguar nga të qenit udhëheqës i partisë që vet e themeloi.
Kusari-Lila tashmë është në pozicion të ri dhe nuk dihet se si do të veprojë në situatën e re kur Pacolli ka premtuar reforma të thella. E para e Gjakovës ishte parë si zëvendësuese e Pacollit në AKR, mirëpo ajo edhe kishte paralajmëruar largimin nga kjo parti.

















