Minatorët e “Trepçës” i janë gëzuar ligjit me anë të të cilit gjigantin ekonomik ia kthen Kosovës dhe besojnë se ai do të kalojë në Kuvendin e Kosovës ndonëse druajnë se protestat e punëtorëve të “Trepçës” në veri dhe kërcënimet e deputetëve dhe ministrave serbë “se do të luftojnë për ta ndaluar ligjin” do ta pengojnë zbatimin e tij
Minatorët e “Trepçës” i janë gëzuar tej mase miratimit të Ligjit për “Trepçën” nga Kuvendi i Kosovës dhe besojnë se ai do të kalojë edhe në lexim të dytë kur edhe pritet të votohet në Kuvend. Ata thonë se ka qenë koha e fundit që institucionet e shtetit të bëjnë diçka për “Trepçën”, në mënyrë që ajo të mos humbet krejtësisht dhe të shkojë në procedurë të likuidimit, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Por, në tjetrën anë minatorët u druajnë protestave të punëtorëve të “Trepçës” në veri, si dhe kërcënimeve të deputetëve dhe të ministrave serbë në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës “se do të luftojnë për ta ndaluar zbatimin e ligjit”.
Minatorët e “Trepçës” edhe të premten kanë punuar me dinamikën e njëjtë për të nxjerrë sa më shumë xehe, por e gjithë vëmendja e tyre është përqendruar tek Kuvendi i Kosovës, i cili mban seancën e radhës e në të cilin do të debatohet për Ligjin për “Trepçën”.